Foto: ZKM

Haradinaj: Qeveria Kurti shfuqizoi vendimin e Qeverisë së Isa Mustafës

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se sot Qeveria Kurti mori disa vendime me hov, përmes të cilave, sipas tij, padrejtësisht dhe me tendencë po tenton ta mashtrojë opinionin.

Haradinaj ka shkruar se Kurti ka shfuqizuar vendimin e Isa Mustafës të vitit 2015, në lidhje me privilegjet për zyrtarët pas përfundimit të mandatit.

“Për populizëm këtë mashtrim e quajtën si shfuqizim i vendimeve të Kryeministrit Haradinaj. Për shkak të korrektësisë qytetarët duhet të dinë se sot është shfuqizuar vendimi i Isa Mustafës i vitit 2015. Ky vendim parashihte privilegje për zyrtarët edhe pas përfundimit të mandatit”, ka shkruar Haradinaj.

Ai po ashtu ka thënë se shpreson që Kurti ta ketë informuar partnerin e tij të koalicionit, Mustafën, për këtë vendim.

“E neve na mbetet ta informojmë opinionin për këtë mashtrim të radhës”, thuhet në fund të shkrimit të Haradinajt.