Haradinaj: Qeveria e re vendos për 32 milionëshin për 'Bechtel&Enka'

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka komentuar edhe vendimin për ndarjen e 32 milionë eurove të tjera për Bechtel&Enka për ndërtimin e dy kyqjeve të reja në autostradën “Arbën Xhaferi” dhe ndërtimin e një mbikalimi.

“Vendimi për kyçje po, a çmimin nuk po di ku po e gjeni. Vetëm një gjë, kur të vendos Qeveria  me u kyqë Gerlica edhe dy të tjera, ne nuk kemi qitë çmim. Nëse dikush ta bën një çmim ti vendos a me shqyrtu a jo. Mujnë me u nda ma pak ose ma shumë. Një qeveri tash kur të vjen e di çka bënë, por ne kemi marrë vendim me u kyqë në tre vende në auto rrugë”, ka thënë Haradinaj në TV Dukagjini.

Sipas tij, nëse është përmendur një çmim i tillë, është për shkak të studimeve që janë bërë, mirëpo sipas tij është në dorën e Qeverisë së re të vendosë për një gjë të tillë.

“Dikush e ka bo një fizibilitet edhe ta çon një propozim me një çmim. Unë nuk e di a kam të drejtë ta marrë një vendim të tillë”, tha Haradinaj.

Sipas tij, Qeveria ka marrë vendim që të bëhet zgjerimi, mirëpo për çmim ende nuk është vendosur.

“Qeveria ka marrë vendim me ndodhë puna, me u kyq këto, por Ministria e Infrastrukturës kur ta bën një çmim gjithkush mund të thotë po edhe jo”, tha Haradinaj.

KALLXO.com ka raportuar se konzorciumi “Bechte&Enka” pritet të marrë edhe 32 milionë euro tjera nga buxheti i shtetit të Kosovës.

32 milionë e 200 mijë euro pritet t’i kushtojnë Kosovës dy kyqje për në autostradën “Arbën Xhaferi” dhe një mbikalim.

Kyqjet janë paraparë të ndërtohen në fshatin Gërlicë të Vitisë dhe një në Ferizaj si dhe mbikalimi në fshatin Paldenicë të Hanit të Elezit.

Vendimi për t’ia dhënë të drejtën e ndërtimit të këtyre dy kyqjeve vetëm konsorciumit “Bechtel&Enka”, duke përjashtuar kështu mundësinë e një gare tenderimi, ishte marrë fillimisht në maj të këtij viti nga Qeveria e Kosovës.

Më 28 maj të këtij viti, në mbledhjen e Qeverisë me propozim të ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, kabineti qeveritar kishte miratuar vendimin për të zgjatur kontratën për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” deri më 1 dhjetor 2020.

Vendimi për t’ia dhënë edhe disa miliona euro “Bechtel&Enka” ishte marrë në Qeveri vetëm një ditë para se të hapej zyrtarisht autostrada “Arbën Xhaferi”. Në po këtë mbledhje ishte marrë vendimi edhe për ndërtimin e kyqjeve dhe mbikalimit si dhe ishte obliguar Ministria e Infrastrukturës që t’i nis negociatat me “Bechtel&Enkan”.