Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Qeveria e Kosovës po tallet me misionet diplomatike të vendit në botë

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe deputet i kësaj partie, Ramush Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës po tallet me misionet diplomatike të vendit në botë.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj tha se Qeveria në fund të këtij muaji ka tërhequr 12 përfaqësues diplomatik pa i zëvendësuar ata.

Sipas tij shumë prej misioneve dhe ambasadave të Kosovës, kanë mbetur me dyer të mbyllura dhe jashtë funksionit dhe “kjo është papërgjegjësi e skajshme e Qeverisë”.

“Shfrytëzoj rastin që të përgëzoj të gjithë ambasadorët dhe të ngarkuarit me punë që u tërhoqën nga shërbimi, për punën e tyre të suksesshme dhe përfaqësimin me dinjitet të Kosovës në botë. Jo pa arsye, veçoj ambasadorët Beqë Cufaj, Avni Arifi dhe Arbër Vllahiu me të cilët kam bashkëpunuar ngushtë dhe shpreh gjithë falënderimin tim për profesionalizmin e tyre në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të Kosovës në vendet respektive”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, presidentja Vjosa Osmani ende nuk ka pranuar listën e diplomatëve të cilët duhet të dekretohen për të shërbyer në misione diplomatike.

Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje për KALLXO.com, Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani.

“Deri tashti, Presidentes nuk i ka ardhur asnjë propozim për dekretim. Sapo të vijnë propozimet për dekretim, Presidentja do t`i nënshkruaj ato. Do të respektohet ligji sa i përket kuotës 50-50”, tha Kupina.

Presidentja Osmani ende nuk ka pranuar listën e diplomatëve për dekretim