Haradinaj: Që Kosova të jetë në Samitin e NATO-s më 2027, duhet të ndërrohet qeveria

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka deklaruar se mbajtja e Samitit të NATO-s në Shqipëri më 2027, është një mundësi e mirë që Kosova të ketë zërin e vet direkt.

Por, sipas tij, që Kosova të jetë pjesëmarrëse, duhet ta ndërroj Qeverinë në vitin 2025.

“Kjo është një mundësi e mirë që Kosova të ketë zërin e vet direkt në Samitin e NATO-s. Deri atëherë, tranzicioni i Ushtrisë sonë do të jetë praktikisht i përfunduar, kjo sipas Planit që kemi futur në funksion në fund të vitit 2018. Por, për të arritur që Kosova të jetë në Samitin e NATO-s në Tiranë më 2027, së pari duhet ta ndërrojmë Qeverinë më 2025 dhe të kemi dy vjet pandalur në angazhim të ngushtë me SHBA dhe NATO”- ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Më 09.02.2025 do të mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, tha të hënën se në vitin 2027 Shqipëria do të mirëpresë samitin e NATO-s. Këto komente Rama i bëri gjatë konferencës së ambasadorëve, që po mbahet në Tiranë. Rama tha para ambasadorëve se diplomacia shqiptare tashmë ka hyrë në një dinamikë të re.

“Vitin e ardhshëm do të jemi vendi që do të mirëpresë liderët e 44 shteteve evropiane – nga Britania e Madhe në Ukrainë apo nga Suedia, Norvegjia deri në Turqi – në samitin e Komunitetit Politik Evropian. Më 2027 do të kemi mundësinë të jemi mikpritës të samitit të NATO-s. Gjëra që as nuk mund të imagjinoheshin vite më parë – që Shqipëria të bëhej një pikë referimi e t’i besoheshin të tilla role”, deklaroi Rama.

Samiti i sivjetmë i NATO-s është mbajtur nga 9 deri më 11 korrik në Uashington.

Rama thotë se më 2027 Shqipëria do të jetë mikpritëse e samitit të NATO-s