Foto: Ramush Haradinaj/Facebook

Haradinaj propozon ndërprerjen e dialogut

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sonte në një intervistë ka folur për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Ai theksoi për “Ora News” se Kosova duhet të bëjë një pauzë për një riorganizim total për krijimin e një plani për ecjen përpara me dialogun.

“Ne duhet të bëjmë një llogari tonën, cila është strategjia jonë, dhe si mund të arrijmë suksesin për Kosovë, në këtë strategji mendoj që një riorganizim i krejt angazhimit të Kosovën në dialog do të nënkuptojë një pauzë të dialogut për disa ditë. Një konsultë duhet të ndodhë me spektrin politik jo vetëm me koalicionin qeverisës por dhe me partitë opozitare. E pastaj krijimin e një plani të qartë për ecjen përpara”, ka thënë Haradinaj.

Ai vlerësoi se është i interesuar të arrihet një marrëvesje për njohje reciproke pa ndryshim kufijsh.

“Unë jam i interesuar që të ndodhë dialogu Kosovë Serbi, mendoj që është i nevojshëm, jetik. Jam i interesuar të arrijmë marrëveshje për njohje reciproke në kufijtë ekzistues që është obligativë ligjore. Mendoj se është e arritshme. Ndoshta në etapën e ardhshme kjo nuk do të finalizohet si e plotë, për shkak se Serbia do të provojë të fitojë kohë deri në momentin e anëtarësimit në Europë. Serbia ka target BE, Kosova post BE kemi target NATO-n.”, u shpreh Haradinaj.

Gjatë këtij viti dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka rifilluar në Bruksel, mirëpo palët nuk kanë arritur ndonjë përafrim.

Serbia kërkon formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Kosova insiston në një marrëveshje të përgjithshme, në të cilën do të përfshihej edhe njohja e ndërsjellë.

Pas shpalljes së aktakuzave nga Dhomat e Specializuara për ish-presidentin, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në Kosovë disa përfaqësues institucionalë dhe liderë politikë kanë kërkuar ndërprerjen e dialogun me Serbinë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 10 nëntor, kryeministri Avdullah Hoti, kundërshtoi ashpër thirrjet për ndërprerjen e dialogut me Serbinë. /OraNews