Haradinaj - prokurores: Fjalën kriminel kthejeni mbrapsht dhe mbajeni për vete!

Gjatë fjalës përfundimtare në Gjykatën Speciale, Nasim Hardinaj  deklaratën e tij e filloi me fyerjen që sipas tij e kishte bërë prokurorja Valeria Bolicci duke e quajtur atë dhe Hysni Gucatin “kriminelë”.

“Fjalën kriminel mbajeni për vete, sepse mua s’më takon kjo”, tha Haradinaj.

Sipas tij , ky deklarim nga ana e Prokurorisë ishte bërë në fillim të deklaratës ende pa ua zbërthyer kërkesat e Prokurorisë.

“Kur prokurorja Valeria Bolicci mori fjalën dhe pak kohë pas fillimit të fjalës së saj ende pa i zbërthyer mirë kërkesat ndaj nesh ajo u mundua të imponohej paturpësisht dhe ta qet këtë trup gjykues para aktit të kryer, e cila me harbutërinë e saj shkoi aq larg sa jo vetëm që bëri një gabim amatoresk juridik dhe të pashembullt, të cilat nuk ndodhin as në gjykatat diktatoriale, ku e mllefosur dhe si harbute na fyu dhe u mundua që ta qesë këtë proces gjyqësor para aktit të kryer kur tha: “Këta të dy janë kriminelë”, tha Haradinaj.

Pas kësaj, ai shprehu pakënaqësi që as paneli gjykues nuk kishte reaguar ndaj këtij rasti duke i kujtuar atyre që ende ata konsiderohen të pafajshëm.

“Prokuroria Bolicci, e kuptoj që është e zemëruar dhe mungesën e fakteve  për ta arritur qëllimin që ka kjo Prokurori, por ajo duhet ta dijë se për ne ende vlen prezymimi i pafajësisë”, deklaroi Haradniaj.

Në vijim të gjykimit Haradinaj i është përgjigjur akuzave të Prokurorisë duke thënë se ai është i pafajshëm.

“Unë veç jam deklaruar dy herë para këtij trupi gjykues se jam krejtësisht i pafajshëm dhe kështu mendoj se jam edhe sot por, si përfundim, po e them edhe këtë që ndoshta do t’i ndihmojë prokurores për ta mbështetur fyerjen që bëri duke shfrytëzuar pozitën që ka këtu. Prandaj, ju them se nëse unë e dua njerëzoren dhe kam gatishmërinë që të luftoj kundër të padrejtës të popullit tim e ju e quani veprimtari kriminale atëherë ju keni probleme me perceptimin e të drejtës për popujt e veçanërisht edhe me veten tuaj”, deklaroi ai.

Gjatë fjalës së tij, Haradinaj i është drejtuar edhe prokurorit të specializuar, Jack Smith, të cilit i ka thënë se ka deklaruar gënjeshtra gjatë paradites derisa ka folur për dosjet.

“Fjalimin do ta kisha përfunduar sot këtu por meqë zoti kryeprokuror është këtu thash mos po i mbetet hatri dhe mendon që nuk e kam vërejtur, mendon që nuk ia kam varë, e vërtetë është ashtu, por megjithatë nuk do të thotë që nuk e kam dëgjuar. Smith tha dy çështje: e para ‘Haradinaj ka interes personal’. Smith, mua më njohin të gjithë, me njeh edhe ti dhe e di që kjo është një gënjeshtër dhe nuk ka aspak të bëjë me të vërtetën, po të kisha shikuar aspektin personal do të isha me familjen time, nuk do të isha as në luftë, nuk do të isha kurrë i burgosur. Por kjo ty të duhet që të diktosh në marrjen e vendimit të këtij paneli”, ka sqaruar ai.

Ndërkaq, qasja e prokurorit sipas Nasim Hardinajt ishte si në kohët e diktaturës.

“Ndërsa kërkove të marrë dënim sa më të lartë dhe ajo për të arrit efektin që të mos guxojnë të tjerët të mendojnë kështu, zoti prokuror beso se këtu jeni në kundërshtim me vetveten. Zoti prokuror ky mendim që ti e ke është mendim i prokurorive diktatoriale që kanë bërë në 1981 Serbia dhe shumë shtete diktatoriale që kanë menduar me dënime të larta t’ua ndalojnë njerëzve të mendojnë ndryshe. Kjo duhet të të turpërojë ty, përvojën tënde çerek shekulli që the, shtetin tënd nga vjen dhe këtë institucion që ti e përfaqëson”, ka shtuar ai.

Haradinaj fjalën e tij e përmbylli duke kërkuar drejtësi të pandikuar, të paimponuar  dhe të paanshme.

“Nga ju pres drejtësi dhe asgjë tjetër, vetëm të dal në shesh drejtësia dhe të triumfojë ky proces. Asgjë tjetër nuk kërkoj përveç drejtësisë”, përfundoi Haradinaj.

Haradinaj dhe Gucati akuzohen se në prill dhe shtator të vitit 2020 bënë deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, “gënjeshtarë”, “bashkëpunëtorë” dhe “tradhtarë”.

Ata akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas Dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën një konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas DSP ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.