Foto: Ramush Haradinaj/Facebook

Haradinaj: Prodhuesit që punësojnë gra do të kompensohen me gjysmën e pagës

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj, sot ka zhvilluar një takim me gratë e komunës së Suharekës.

Para tyre ai ka shpalosur një pjesë të programit qeverisës që ka të bëjë me çështjet që prekin gratë në Kosovë.

Ai ka thënë se me programin qeverisës synojnë që prodhuesit që punësojnë gra të kompensohen me gjysmën e pagës, të krijohet fond i posaçëm për punësimin e tyre, të ketë buxhet të veçantë për shtatzëna e lehona dhe shtesa të fëmijëve.

“Vota për 100% shtet është votë për një shtëpi të sigurt dhe rritje të mundësive shtesë për gruan e Kosovës. Gratë e Kosovës janë vet historia e saj dhe thelbi i ekzistencës sonë si shtet”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj ka thënë se gjatë mandatit të tij si kryeministër ka punuar në vazhdimësi për të fuqizuar rolin gruas në shoqëri.

“Falë masës afirmative për regjistrim të përbashkët të pronës, sot kemi rreth 5 mijë prona në emër të dy bashkëshortëve dhe mbi 91 mijë raste ku gratë kanë të regjistruara pronën në emër të tyre”, ka shtuar Haradinaj.