Haradinaj pret në takim këngëtarin Ismet Peja

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim këngëtarin e muzikës popullore Ismet Peja.

Haradinaj në Facebook e ka vlerësuar lartë veprën e Pejës.

“Kënaqësi ta prisja këtë mëngjes doajenin e muzikës shqiptare, Ismet Pejën, njeriu që tërë shekullin e tij jetësor ia kushtoi artit të këngës së mirëfilltë qytetare. Njerëzit që i kanë dhënë vlerë identitetit tonë, e meritojnë nderimin dhe kujdesin më të lartë shoqëror dhe institucional”, thuhet në publikimin e tij.

Edhe pas dorëheqjes së tij një muaj më parë, Haradinaj ka njoftuar se do të ushtrojë funksionin e tij në qeveri deri në formimin e institucioneve të reja.

Sa i përket rolit vendimmarrës pas dorëheqjes, Haradinaj i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila deri më tani nuk ka dalë me ndonjë interpretim.