Foto: Ramush Haradinaj, Facebook

Haradinaj premton ulje të TVSH-së në 8 për qind në sektorin e gastronomisë

Kandidati për kryeministër i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shpalosur programin e tij dhe partnerëve të koalicionit për sektorin e gastronomisë në Kosovë.

Sipas Haradinajt gastronomia është sektor vital i ekonomisë dhe do të ketë mbështetje konkrete dhe të menjëhershme.

Ai ka premtuar ulje të TVSH-së në 8 për qind për 4 vite, reduktim të tarifave në produktet bazë e të tjera.

“Ulje të TVSH-së në 8% për 4 vite në sektorin e gastronomisë, reduktim të tarifave në produktet bazë për gastronomi, ulje të normave tatimore në paga dhe fitim nga 10% në 9%, sistem të ri të pagesave tatimore me pasdhënie me këste, ndryshim të Ligjit për Zhurma për të mbrojtur bizneset dhe Ligj të ri për duhanin sipas sistemit FUMAR – me zona të ndara dhe tarifa të përcaktuara”- ka thënë ai.

Fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.

Partitë politike po mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.