Haradinaj premton mbështetje për gratë e Krushës, pas djegies së fabrikës së specave

Kooperativës Bujqësore “Krusha” gjatë ditës së sotme është përfshirë nga zjarri.

Përfaqësuesit e kooperativës kanë reaguar në Facebook duke treguar se nga zjarri nuk ka asnjë të lënduar dhe se do të mundohen që të kthejnë në punë sa më shpejtë që është e mundur.

Reagimi i plotë:

“Të nderuar konsumatorë, me keqardhje ju njoftojmë për incidentin dhe djegien e hapësirave të Kooperativës Bujqësore “Krusha”! Ju informojmë që nuk ka asnjë të lënduar dhe kooperativa shumë shpejtë do bëjë riparimet e nevojshme për të vazhduar me procesin e punës. Lusim mediat të kenë kujdes të shtuar dhe të mos përhapin dezinformata sepse nuk ka asnjë të lënduar dhe situata është në kontroll. Ne do vazhdojmë të jemi storie suksesi, falënderojmë të gjithë qytetarët vullnetarë që na dolën në ndihmë dhe ekipin e zjarrfikësve nga komuna e Rahovecit. Fuqia e grave të Krushës së Madhe, të cilat janë ngritur mbi tragjedinë që u ka shkaktuar lufta, do vërtetohet edhe kësaj radhe, ne nuk zmbrapseni para sfidave, edhe këtë situatë e kapërcejmë shpejtë. Vazhdojmë me punë”, thuhet në reagim.

Po ashtu për djegien e kooperativës ka reaguar edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

Ai në Facebook ka shkruar se gratë e fshatit Krushë janë shembull i ringritjes nga tragjedia e luftës së fundit në Kosovë, ndërsa është zotuar se dëmet e shkaktuara do të sanohen shumë shpejtë.

“I prekur nga lajmi se një pjesë e Kooperativës “Krusha”, është përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Gratë e Krushës, këto heroina të ditëve tona, që gjeten fuqinë mbinjerëzore të ringriten nga tragjedia e luftës dhe me gjithë dhimbjen e madhe mbijetuan me punë e përkushtim, u shndërruan në shembullin më të mire për të gjithë ne. Duke iu shprehur keqardhje për këtë fatkeqësi themelueses Fahrije Hotit, dhe punëtoreve të koopertivës, zotohem për mbështetjen time të plotë, që dëmet të sanohen sa më shpejt”, ka shkruar Haradinaj.

Sot ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka reaguar përmes një publikimi duke shkruar se dëmet e shkaktuara nga zjarri janë të mëdha.

Latifi ka shkruar se do të ju qëndrojë përfaqësuesve të kooperativës dhe punëtorëve.

Po ashtu ai ka thënë se do të fillojnë me vlerësimin e dëmeve dhe sa më shpejtë që është e mundur do të kthejnë në punë këtë kooperativë.

“Me keqardhje kuptova për incidentin dhe djegien e hapësirave të Kooperativës Bujqësore “Krusha”! Me të dëgjuar lajmin, bashkëpunëtorët e mi dhe ekipi i zjarrfikësve vizituan vendin e ngjarjes dhe u njoftuan nga afër mbi dëmet, që janë të mëdha. Unë si Kryetar i Komunës dhe institucionet lokale, i sigurojmë përfaqësuesit e Kooperativës dhe punëtorët, se pas vlerësimit të dëmeve, do t’i qëndrojmë afër me të gjitha kapacitetet dhe do t’i dalim në krah Kooperativës, me qëllim që të lehtësojmë kthimin sa më të shpejtë të punës në këtë kompani të rëndësishme si vlerë e shtuar e ekonomisë së vendit. Kooperativa “Krusha”, falë punës frymëzuese e të palodhshme të grave fermere, sot ka fituar respektin e të gjithë neve, si tregim suksesi. Shpresojmë se do të kapërcehet sa më shpejtë kjo situatë”, ka shkruar Latifi.

Në pikun e sezonit digjet fabrika e përpunimit të specave në Krushë të Madhe – FOTO

.