
Haradinaj premton funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës për fluturime emergjente
Kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, më 03.01.2025, ka thënë se Kosova duhet ta ketë patjetër një aeroport alternativ për fluturime emergjente.
Ai ka thënë do ta përshtasin Aeroportin e Gjakovës, për të shërbyer si “pikë strategjike për funksionalitetin e trafikut ajror.”
“Kosova patjetër duhet ta ketë një aeroport alternativ për fluturime emergjente, në mënyrë që udhëtarët e saj të mos vijnë në situatë – që në pamundësi për të ateruar në Aeroportin e Prishtinës – të aterojnë në Beograd dhe Shkup. Për këtë qëllim, ne do ta aftësojmë Aeroportin e Gjakovës, për të shërbyer si pikë strategjike për funksionalitetin e trafikut ajror.” – ka thënë Haradinaj.
Ndërsa, ka thënë se kjo përshtatje do të arrihet me një investim të përballueshëm për buxhetin.
“Angazhimi ynë për ta shndërruar këtë aset në një pikë të rëndësishme të infrastrukturës së sigurisë kombëtare është pjesë e vizionit të Kosovës Fituese.” – ka shkruar ai në Facebook.
Në vitin 2019, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Rrustem Berisha, Aeroporti i Gjakovës ka kaluar nën kompetencat e Ministrisë për nevoja të FSK-së.
Në ditët e fundit për shkak të mjegullës së dendur, në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” janë anuluar afër 50 fluturime – gjatë dy ditëve të fundit, kurse në disa të tjera ka pasur vonesa.
Lidhur me këtë zhvillim ka shkruar ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, më 02.01.2025.
“Aeroporti i Prishtinës është në shërbim gjatë tërë kohës, pasi ka të instaluar dhe funksional Sistemin e Avancuar të Aterrimit ILS CAT IIIb, i cili mundëson aterrime edhe në kushte të mjegullës së dendur, deri në dukshmëri minimale prej 50 metrash.” – ka thënë ai.
Fluturimet me pilotë të certifikuar për përdorimin e këtij Sistemi – sipas tij – kanë aterruar me sukses, ndërsa “fluturimet pa certifikimin e nevojshëm janë anuluar ose devijuar.”