Ramush Haradinaj

Haradinaj përshëndet qëndrimin e përbashkët ShBA-Greqi për Kosovën, justifikimet e qeverisë për gazsjellësin i quan banale

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka vlerësuar lart qëndrimin e përbashkët të ShBA-së dhe Greqisë për integrim euroatlantik ku specifikohet edhe Kosova.

Përmes rrjetit Facebook, Haradinaj tha se kjo gjë na obligon të kryejmë detyrat tona drejt integrimit.

“E vlerësoj lart qëndrimin e përbashkët të qeverive të SHBA dhe Greqisë për integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor, ku në mënyrë të veçantë specifikohet edhe Kosova, apo edhe gazsjellësi amerikan, e që është i një rëndësie të jetike për ne si shtet i ri. Kjo na obligon që t’i kryejmë detyrat tona që rrugën e integrimit ta bëjmë sa më të lehtë e sa më të shkurtër”, ka thënë Haradinaj.

Tutje, kryetari i AAK-së potencoi se Kosova duhet të mbështesë të gjitha projektet që na afrojnë më BE dhe NATO-n, përfshirë gazsjellësin amerikan.

Derisa, justifikimet e qeverisë si ‘çështje e gypave’ i quan banale dhe sabotim të orientimit perëndimor të Kosovës.

“Kjo nënkupton po ashtu që Kosova të mbështes të gjitha projektet që e afrojnë Kosovën sa më afër BE-së e NATO-s, duke përfshirë këtu edhe gazsjellësin amerikan, projekt ky i një rëndësie strategjike dhe ekonomike, që do të garantonte edhe sigurinë energjetike të vendit tonë. Justifikimet banale të qeverisë së Kosovës për refuzimin e këtij projekti, se kjo është “çështje e disa gypave”, janë jo vetëm shkurt pamëse, por edhe sabotim i orientimeve properëndimore e euroatlantike të Kosovës”, shtoi tutje Haradinaj.

Ai i bëri thirrje qeverisë që të kthjellohet e të mos vendosë pengesa në rrugën e pa kthim euroatlantike të Kosovës.