Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Për taksën kam prishur koalicionin me PDK-në

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj ka thënë që për shkak të vendosmërisë së tij për taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake është prishur koalicioni i PAN-it.

“Unë e kam ndëshkuar vetën, e kam ndëshku koalicionin tim për faktin se koalicioni ka shkuar rrugës me e nda vendin, taksa ka qenë vetëm pretekst, pastaj ka ndodhur thyerja me taksë, pastaj me ndarje, për këtë arsye e kam prishur koalicionin”, ka thënë Haradinaj në emisionin TV Dukagjini.

Tutje Haradinaj ka thënë që nëse kjo ‘konsiderohet’ tradhti ndaj PDK-së e pranon si të tillë për faktin që sipas tij ka mbrojtur vendin.

“Nëse kjo është tradhti ndaj PDK-së, po valla ju kam tradhtuar, kjo është tradhti ndaj atyre që kanë dashur ta dorëzojnë Kosovën deri në ndarje dhe unë nuk kam dashur ta pranoj dorëzimin”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë që nëse Albin Kurti tërheq taksën do të bënte një gabim të madh dhe të pafalshëm.

Qeveria e Republikës së  Kosovës më 9 nëntor të vitit të kaluar pati marrë vendim për vendosjen e masës 10 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës duke përjashtuar këtu brendet ndërkombëtare.

Mirëpo kjo taksë nuk mbeti e tillë, dhe pikërisht një ditë pas dështimit të Kosovës për anëtarësim në organizatën INTERPOL më 21 nëntor të vitit të kaluar, kjo taksë u rrit në 100 për qind.