Arkiv

Haradinaj për takimet VV-LDK: Shihet që nuk ka drejtim për marrëveshje

Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se e ka të vështirë t’i komentojë bisedimet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për mundësinë e koalicionit qeverisës.

Megjithëkëtë, Haradinaj shtoi se po shihet që nuk ka një drejtim të marrëveshjes.

“Me komentu është zor se vërtetë na s’jemi pjesë e takimeve. Është kulturë elementare me i leju atij që është i mandatuar, që ka mandatin kohën e vet, të drejtat e veta ligjore, kushtetuese, me kriju qeverinë. Shihet që nuk është një drejtim po them ashtu  i marrëveshjes, të paktën nga lajmet që i dëgjojmë. Por nuk jemi pjesë e bisedave direkte”, tha ai në konferencën për media, pas mbledhjes së Qeverisë.

Haradinaj e komentoi edhe pjesëmarrjen e ambasadorëve të Quntit në takimin e djeshëm të VV-së dhe LDK-së.

“Dje e kemi parë për herë të parë  në takimet VV-LDK kanë marr pjesë edhe Quinti. Edhe ai është një zhvillim i ri, por do të shohim si do të rrjedh më tutje”, theksoi ai.

I pari i AAK-së, u pyet nëse kanë marrë ftesë për takimet lidhur me krijimin e qeverisë.

“Jo, s’ka ndodhur deri sot [ me marr ftesë për takime]”, u përgjigj Haradinaj.

Ndërkaq, kur është pyetur sërish nga gazetarja nëse do të pranonte, po të kishte ftesë, Haradinaj ironizoi.

“Ta bëjmë bashkëbisedim, intervistë”, tha ai.