Haradinaj: Për situatën e rënduar në veri përgjegjësi kryesor është presidenti serb
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka bërë përgjegjës kryesor të situatës së rënduar në veri të Kosovës, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ky fajësim i Haradinajt ndaj presidentit Vuçiq për situatën në veri të vendit vjen pasi presidenti serb mbajti një fjalim të premten, më 13.04.2024 dhe shpalosi shtatë kërkesa të Serbisë që përfshijnë serbët e Kosovës.
Haradinaj pretendon se Vuçiq ka urdhëruar serbët e Kosovës të braktisin jetën institucionale e zgjedhjet që u mbajtën në veri.
“Për situatën e rënduar në veri të Kosovës, përgjegjësi kryesor është presidenti serb. Ai ka sabotuar çdo nismë për vendosjen e normalitetit dhe integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Ai e ka minuar procesin e dialogut për njohje. Ai i ka urdhëruar serbët lokal të braktisin jetën institucionale. Ai i ka urdhëruar ata t’i braktisin zgjedhjet. Ai i ka mbështetur grupet kriminale dhe i ndikuar edhe nga Rusia, ka hartuar skenar për destabilizimin e Kosovës” – ka shkruar Haradinaj në Facebook, më 14.09.2024.
Si rezultat i kësaj, Haradinaj thotë se kërkesat e Vuçiqit janë veç vazhdimësi e luftës së tij kundër Kosovës.
Por, ai s’e ka përfunduar reagimin e tij ndaj kërkesave të Vuçiqit, pa e kritikuar edhe politikën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“E dhimbshme, por fatkeqësisht terrenin për këto veprime anti-Kosovë të Serbisë, të mbështetura edhe nga disa qarqe ndërkombëtare, e ka krijuar politika shkurtpamëse e qeverisë Kurti. Ajo ka bërë që politika fashiste e Serbisë ndaj Kosovës, të mos duket edhe aq e keqe” – ka thënë Haradinaj.
Si përfundim, Haradinaj ka theksuar se me shtetin serb ka vetëm një zgjidhje – njohja e ndërsjellë në kufijtë ekzistues.
Se Vuçiq i ka urdhëruar serbët e Kosovës të lëshojnë institucionet në veri të vendit e t’i bojkotojnë zgjedhjet lokale, njëjtë pretendon edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.
Ministrja Gërvalla po ashtu ka reaguar ndaj fjalimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilin e mbajti të premten, më 13.09.2024.
Ministrja Gërvalla e ka quajtur “konferencë teatrale”, konferencën e presidentit serb dhe mendon se ai nuk e ka ndërmend ta ndalë instrumentalizimin e serbëve të Kosovës dhe interesave të tyre, duke i shfrytëzuar për politikë ditore dhe përfitime financiare.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të premten, më 13.09.2024 se nuk ekziston asnjë zgjidhje e kënaqshme për serbët për, siç ka thënë ai, “problemin e Kosovës dhe Metohisë”, teksa ka paralajmëruar marrjen e masave për këtë gjë.
“Nuk ekziston ai mrekullibërës që mund t’u sjellë serbëve një zgjidhje të mirë për Kosovën dhe Metohinë. E pranoj. Edhe pse jam presidenti që ka zhvilluar më së shumti bisedime”, ka thënë Vuçiq në një fjalim drejtuar popullit, të paralajmëruar ditë më parë.
Sipas një dokumenti që u është shpërndarë mediave para nisjes së fjalimit të presidentit serb, Serbia kërkon “heqjen e pasojave kryesore të veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Sipas dokumentit, Beogradi do të nisë, “fushatë globale diplomatike” për të arritur plotësimin e kërkesave.
Shtatë kërkesat e Serbisë
Sipas dokumentit, Serbia kërkon:
– shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.
– kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre gjyqësore.
– tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga “bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara në mënyrë të paligjshme” në veriun e Kosovës.
– tërheqjen e Policisë nga të gjitha institucionet “të cilat nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme në vitin 2024 ofronin shërbime vitale publike dhe administrative për qytetarët”.
– formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe
– zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë” të arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe
– kryerjen e pagesave me shërbimeve postare me valutën serbë, dinarë.
Në anën tjetër, së fundmi, më 06.09.2024, në afërsi të tri pikave kufitare të Kosovës me Serbi – Bërnjak, Merdarë e Jarinjë, si dhe në pikën kufitare të Kosovës me Mal të Zi – Kullë, u bllokuan nga qytetarë serbë në territorin e Serbisë.
Rreth 30 persona në Jarinjë e Bërnjak, diku rreth 50 persona në Kullë e Merdarë, dolën dhe iu bashkuan kërkesës për të protestuar dhe bllokuar rrugët matanë kufijve që ndajnë Kosovën me Serbinë, më 06.09.2024.
Qeveria e Kosovës mbylli pesë institucione paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit.
Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar dy ditë kundër mbylljes së tyre dhe kanë kërkuar kthimin në vendet e punës.
Më 30.08.2024, janë mbyllur këto komuna paralele: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna ilegale e Mitrovicës, Komuna ilegale e Zveçanit, Komuna ilegale e Zubin Potokut dhe Komuna ilegale e Leposaviqit.
Aksioni i Policisë ka nxitur reagimin e ambasadave të vendeve të QUINT-it dhe të BE-së, duke u cilësuar si veprim i pakoordinuar që mund të sjell tensionim të situatës në veri të Kosovës.