Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës. Foto: kallxo.com

Haradinaj për punësimin e kunatës në Telekom: Nuk e di si ka hyrë aty

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha sot se partia e tijm AAK nuk është duke luftuar për asnjë punësim në sektorin publik.

“Një gjë e di që Aleanca edhe unë nuk jemi duke luftuar për asnjë kontratë në kompani publike, ju besojmë njerëzve që e kanë marrë atë përgjegjësi, Drejtori i Telekomit, Bedri Istrefi nuk është Aleancë, ka qenë aty, shikoji drejtorët e tjerë qysh janë”, tha Haradinaj.

Ai në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ në lidhje me punësimin e djalit të Muharrem Nitajt në kompaninë Pastrimi dhe punësimin e kunatës së tij në Telekom, Vesmira Haradinaj tha se nuk ka qenë në dijeni.

“Nuk jam në dijeni si ka hyrë ajo aty, ju siguroj. Për besë nuk e di. Edhe si kryetar i Qeverise bukur e ke problem me i thënë një të afërti mos konkuroni kërkun, se është marre ashtu as nuk e ki atë të drejtë, tjetër është që e keqpërdor”, tha lideri i AAK-së.

Haradinaj po ashtu tha se nuk mundet t’i kontrollojë të gjitha punësimet.

“Por është bukur problem për mu me mrri deri në at nivel me ditë sa me kontrollu , qysh me kontrollu naj një qysh hynë në punë”, tha kryeministri në një intervistë në emisionin ‘Jeta në Kosovë’.