Haradinaj për pensionet: Kjo rritje ka mesazhin e mashtrimit në shkëmbim të votës

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë Kurti pas vendimit për rritjen prej 20 për qind të pensioneve për disa skema pensionale më 07.10.2024.

Sipas tij, kjo rritje ka mesazhin e mashtrimit në shkëmbim të votës.

“Rritja e pensioneve sot nga Qeveria në ikje është mashtrim. Ky mashtrim shpërfaq fytyrën e këtyre njerëzve që shkon përtej humanizmit sepse ka në vete mesazhin e mashtrimit në shkëmbim të votës për njërën ndër kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, pensionistët”- ka thënë ai.

Ndërsa ka thënë se përveç që është mashtruese, sipas tij, kjo rritje është gjysmake dhe duke marrë parasysh bazën e ulët të pensioneve, as nuk ndikon në mirëqenien e pensionistëve por edhe lë jashtë kategori të tjera sociale.

Ai ka thënë se në qeverinë që synojnë të ndërtojnë pensionet dhe skemat pensionale do të kenë rritje të menjëhershme prej 50 për qind.

“Në qeverinë e ardhshme që ne synojmë ta ndërtojmë, qysh në ditët e para të qeverisjes të gjitha pensionet dhe skemat pensionale do të kenë rritje të menjëhershme prej 50% dhe pastaj çdo vit rritje prej 10%. Të gjitha skemat pensionale do të jenë më shumë se paga minimale prej €500”- ka shkruar ai.

Vendimi i Qeverisë është kritikuar edhe nga partia tjetër opozitare, Lidhjes Demokratike e Kosovës.

Deputetja Hykmete Bajrami ka thënë se rritja e pensioneve dhe pagave në kohë të fushatës elektorale është “tentativë për të blerë vota” dhe “skemë e korrupsionit publik”.

Bajrami: Rritja e pensioneve dhe pagave në kohë fushate, tentativë me ble vota