Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj për Kurtin: Zhvillimet kanë shku në drejtimin e gabuar për fajin e këtij njeriu

Sipas kreut të AAK-së, Ramush Hajradinaj sulmi që ndodhi të dielën në Banjskë të Zvçanit ishte sulm i sponsorizuar nga Serbia.

Ai tha se Serbia ka sponsorizuar terroristë për të shkaktuar jo stabilitet në Kosovë dhe rajon.

Megjithatë, Haradinaj ka fajësuar Kurtin për rrjedhën e zhvillimeve.

Haradinaj tha se dy vite më parë ka kërkuar nga kryeministri që të bazohet te Uashingtoni për marrëveshje me Serbinë por, sipas tij kryeministri Albin Kurti ka bërë të kundërtën.

“Dy vjet më parë kam kërku të bazohen te Uashingtoni për njohje me Serbinë. Kurti e ka sjell të kundërtën, Borrellin dhe Lajçakun, i ka prish marrëdhëniet me Uashingtonin. Kurti, Osmani e Konjufca ta kishin zgjedh Uashingtonin dy vjet me herët do të kishim veriun e integruar, partneritetin për paqe të nënshkruar, proces të anëtarësimit në OKB, etj”- deklaroi Haradinaj.

Ai tha se zhvillimet kanë shku në drejtimin e gabuar për fajin e kryeministrit Albin Kurti.

“Tani Kurti fajëson Borrellin e Lajçakun që vet i ka zgjedh. Mashtrimi nuk kalon. Jemi mashtru qe 2 vjet. Zhvillimet kanë shku në drejtimin e gabuar për fajin e këtij njeriu. Do t`i lexojmë drejt veprimet e secilit prej nesh, nuk do t’ia falim askujt”- tha ai.

Kreu i AAK-së tha se mbështesin rezolutën për të dënuar sulmin në veri, ndërkaq sipas tij, kjo rezolutë duhet të përfshijë edhe kërkesën për hetim ndërkombëtar.

Haradinaj shtoi se “terroristet që hynë në Kosovë e morën përgjigjen më të mirë. Institucionet e sigurisë së Kosovës në koordinim me aleatët ndërkombëtarë i mposhtën”.

Më 24 shtator 2023, rreth orës 03:00, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është vrarë dhe një tjetër është plagosur nga një grup i personave të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Grupi i armatosur më pas ka hyrë në oborrin e manastirit të Banjskës në Zveçan. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte thënë gjatë ditës se personat e armatosur janë rrethuar nga policia tek manastiri i Banjskës në Zveçan, në afërsi të të cilit është vrarë edhe polici Afrim Bunjaku, në orët e para të së dielës më 24 shtator 2023, e janë lënduar dy të tjerë.

Sipas informacioneve zyrtare, tre pjesëtarë të grupit sulmues janë vrarë nga ballafaqimi me armë zjarri me forcat e rendit të Kosovës dhe tre të tjerë, të arrestuar, të cilët tani gjenden në paraburgim.

Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hyn edhe terrorizmi si vepër penale.