Kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Haradinaj për Kurtin: Ky është e keqja! Na përçau dhe na la pa NATO, pa SHBA e pa BE

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se “na la pa NATO, pa SHBA, e pa EU” – ndonëse nuk ia ka përmendur emrin fare.

I njëjti, sipas tij, e solli “asociacionin më të keq të mundshëm” dhe e vendosi vendin nën sanksione.

“Dobësoi biznesin, lodhi punëtorët e sektorit privat dhe publik. Na bëri të varur nga importi i energjisë dhe na e shtrenjtoi, dhe po na e shtrenjton prapë çmimin.” – ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“I poshtëroi vlerat e lirisë duke lënë veteranët e UÇK-së jashtë pagës minimale me ndihmën e Listës Serbe. Na përçau në Kosovë, por edhe në rajon, me të gjithë shqiptarët, edhe në diasporë.” – ka shtuar ai, duke e përfunduar statusin me fjalët: Ky është e keqja!

AAK e Haradinajt në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ishte në koalicion me NISMA-n, Intelektualët e Konservatorët. Ky Koalicon sipas rezultateve preliminare ka marrë 7.46% të votave.

Ramush Haradinaj i AAK-së kishte deklaruar se do të ndihmojë një Qeveri të opozitës, e assesi koalicion me LVV-në.

“Ne e shohim që në këtë politikë që e kam udhëheq, si ndaj mashtruesit që e udhëheq Kosovën, pra Qeverisë mashtruese, mendoj që është në nderin tim që të ndihmoj një Qeveri të opozitës, e assesi koalicion me VV-në.” – tha Haradinaj, në një Konferencë për media, më 10.02.2025.

Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj është shprehur i hapur për të negociuar me Albin Kurtin e VV-së për Koalicion të mundshëm, megjithatë ky variant i Koalicionit do të ishte më fragjili, me vetëm 61 deputetë, nëse numërojmë mandatet e VV-së, NISMA-s që pritet t’i ketë 3 deputetë – duke shtuar këtu edhe 11 deputetë nga komunitetet pa Listën Serbe. Në këtë variant nuk do të ishte e mundur zgjedhja e Presidentit.

Varianti i fundit është Qeveria e opozitës, mes PDK-së, LDK-së, AAK-NISMA-s dhe kominiteteve joserbe, së bashku me Nenad Rashiqin. Në këtë rast, ky Koalicion do të kishte 64 deputetë – shifër e mjaftueshme për të formuar Qeverinë e re, por jo edhe për të zgjedhur Presidentin.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, i cili ka lidhur Koalicion parazgjedhor me Ramush Haradinajn, ka deklaruar në emisionin “Debat Plus”, më 20.02.2025, se është i hapur për koalicione pas Zgjedhjeve.

Limaj tha se për të nuk janë me rëndësi pozicionet, por temat nacionale.

“Kush më fton në tavolinë, unë shkoj, ulna. Për Kosovën. Pikë! Unë shkoj ulna për tema nacionale, s’janë me rëndësi pozicionet… Çka po të vyen një Qeveri jofunksionale. S’më ke mua në një Qeveri jofunksionale. Kurrë, nuk hyj. Në një Qeveri që është kundër interesave të Kosovës, nuk futem.” – ka deklaruar Limaj, në “Debat Plus”.

Sa i përket Koalicionit parazgjedhor, Limaj tha se AAK dhe Nisma janë dy parti politike të ndara.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti ka marrë 40.90% të votave, PDK me kandidat për Kryeministër Bedri Hamzën ka marrë 22.03% dhe LDK me Lumir Abdixhikun ka marrë 17.64%.