Haradinaj për draftin e Ramës për Asociacionin: Qëllimi mbetet i njëjtë, ndarja e Kosovës

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka reaguar në lidhje me deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama i cili njoftoi se ka dorëzuar një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe te presidenti i Francës dhe kancelari i Gjermanisë.

Haradinaj-Stublla e ka cilësuar Ramën si “agjent i idesë së shkëmbimit të territoreve”, teksa ka shtuar se qëllimi është “ndarja e Kosovës”.

“Pra tash “agjentët” e idesë së shkëmbimit të territoreve janë vënë në lëvizje për jetësimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive. Qëllimi mbetet i njëjtë: ndarja e Kosovës”- ka shkruar ajo në Facebook.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se i ka dorëzuar presidentit të Francës, Emanuel Macron dhe kancelarit të Gjermanisë, Ola Scholz një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Rama në një konferencë të jashtëzakonshme për media lidhur me tensionet në veri, deklaroi se beson që çdo ditë e më shumë se krijimi i Asociacionit është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afirmimit ndërkombëtar të Kosovës.

Ai tha se për draftin e Asociacionit ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe palën amerikane.

Më 2 maj, kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një konferenë për media pas takimit trepalësh në Bruksel kishte thënë që, “dëshira e tyre [e ekipit menaxhues] për një Republikë Serbe e ka shkruar këtë statut të [Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe]”.

Kurti shtoi se ka propozuar një draft vizion që përshkruan vlerat, parimet dhe kornizën që duhet të rregullojë çështjen e komuniteteve joshumicë.

“Besoj se propozimi im do të merret seriozisht nga ndërmjetësit, pasi do të na mundësojë të ndërtojmë diçka të mirë, të drejtë dhe të dobishme për të gjithë, jo vetëm për serbët, të cilët duhet të jenë në gjendje të jetojnë në vendin tonë dhe të jenë anëtarë të shoqërinë tonë”, tha Kurti.

Pas prezantimit të draft-statutit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal i Kosovës, Elbert Krasniqi, shkarkoi Ekipin Menaxhues të ngarkuar për hartimin e statutit.

Sipas Krasniqit, “ky ekip tashmë është vetë pa status”.

Ekipi përgjegjës për hartimin e Statutit të Asociacionit përbëhej nga Jelena Boloviq, Igor Kalamar, Dejan Radojkoviq dhe Danijela Vujiçiq.

Ndërkaq, zëdhënësi i BE-së Peter Stano, këtë vendim e ka cilësuar si shkelje të frymës së marrëveshjeve të Brukselit, duke theksuar se këso hapa duhet të ndërmirren vetëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Drafti i parë i statutit u prezantua nga ekipi menaxhues më 2 maj në dialogun e nivelit të lartë, i cili tashmë nis procesin e negociatave. Prandaj, vendimi për shpërndarjen e ekipit menaxhues shkel letrën dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut. Çdo vendim në lidhje me ekipin menaxhues duhet të miratohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja,” ka thënë Stano në disa përgjigje për KALLXO.com.

Formimi i Ekipit Menaxhues ishte paraparë me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013, dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria aktuale e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Rama i dorëzon një draft të Asociacionit Macronit dhe Scholzit