Haradinaj për Asociacionin: Duan ta përdorin si ‘mbulesë’ për ta kundërshtuar marrëveshjen e madhe

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar në lidhje me diskutimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Haradinaj thotë se diskutimet për këtë çështje kanë për synim heqjen e pengesave drejt marrëveshjes për njohje të ndërsjellë.

“Diskutimet dhe konsultat për Asociacionin kanë vetëm një synim, heqjen e pengesave të fundit drejt marrëveshjes së madhe me Serbinë, për njohje të ndërsjellë. Ky është një obligim i marrë që duhet të zbatohet në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe këtu çështja mbyllet”- shkruan ai.

Haradinaj shprehet se të gjithë ata që asociacionin e paraqesin si çështje problematike, sipas tij “duan ta përdorin si “mbulesë” për ta kundërshtuar marrëveshjen e madhe”.

“Prandaj të gjithë ata që asociacionin e paraqesin si çështje problematike, nuk e kanë hallin te asociacioni, por duan që asociacionin ta përdorin si “mbulesë” për ta kundërshtuar marrëveshjen e madhe. Këtë po e bën Serbia e fatkeqësisht këtë po e bën edhe Kryeministri i Kosovës”- ka theksuar Haradinaj.

“Të gjitha vendimet dhe veprimet e qeverive në Prishtinë e në Beograd, në këta 4-5 muajt e fundit, që nga çështja e targave, tensionet në veri, dalja nga institucionet e serbëve lokalë, e deri te shpallja e zgjedhjeve në veri, kanë qenë obstruksionizëm i Planit Evro-Amerikan”- shton ai.

Shefi i AAK-së thekson se Kosova duhet të fokusohet në marrëveshjen për njohje të ndërsjellë me Serbinë e cila sipas tij, mund të arrihet ne koordinim me ShBA dhe BE.

“Kjo lojë politike duhet të marrë fund dhe Kosova duhet t’i fokusojë krejt potencialet politike, intelektuale e qytetare në kryetemën e saj që është “marrëveshja e madhe për njohje të ndërsjellë me Serbinë”, e cila mund të arrihet vetëm duke qenë të koordinuar ngushtë me SHBA dhe BE”- është shprehur Haradinaj.

Ambasada amerikane në Kosovë, ka konfirmuar një takim të thirrur për të martën më 31 janar, me përfaqësues qeveritarë, liderë politikë e të shoqërisë civile për të diskutuar në lidhje me Asociacionin.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë ritheksuar edhe njëherë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një vështrim për Koha.net, ata kanë thënë se zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj.

“Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë (BH); Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që ta ofrojë vizionin e saj për këtë Asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve”- kanë thënë ata.

Ata kanë elaboruar se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë një Asociacion i komunave serbe.

Themelimi i Asociacionit është permendur në propozimin e fundit evropian, një plan disa-pikësh i ofruar nga zyrtarët amerikanë e evropianë për Kosovën dhe Serbinë, ndonëse i njëjti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se e respekton konfidencialitetin e bisedimeve, ndërsa për asociacionin ka shtuar se ka insistim të ndryshëm ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjes. Sipas tij marrëveshja për asociacionin, sipas draftit fillestar nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.