Haradinaj, PDK-së: Më ka sha nji Kosovë që jam bërë me hajnat e Pronto-s

Posti i Presidentit të ri të vendit ka ndikuar që diskursi ndërmjet partive politike të vend të ashpërsohet.

Së fundmi, ish-kryeministri kosovar, tani pretendent për shef të shtetit, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës. Madje, ai tha se, në kohën kur lidhi koalicion me PDK-në, në vitin 2017, ishte kritikuar shumë se u bë bashkë me ‘hajnat e Pronto-s’.

Komenti i Haradinaj erdhi pasi zyrtarë të PDK-së kanë thënë se nuk i kanë borxh votën për President me pretendimin se ishte PDK ajo që e bëri kreun e AAK-së kryeministër të vendit në vitin 2017 si pjesë e koalicionit kontrovers parazgjedhor PDK-AAK-NISMA.

Prej kur partia e nominoi për Presidentit të Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se në kohën nëpër të cilën po kalon vendi, ardhja e tij në krye të vendit, është e nevojshme.

Reagimi i Haradinajt ishte i menjëhershëm. Ai deklaroi mbrëmë në RTV Dukagjini se nuk i ka borxh asgjë PDK-së, ndërsa akuzoi se kjo parti formoi Gjykatën Speciale.

“Këta që po thonë Ramushi të na kthejë borxhin që e kemi bërë kryeministër. I kam nxjerrë prej opozitës kur e kam bërë PAN-in, më ka shajtë një Kosovë që jam bërë me hajnat e ‘Pronto-s’, i kam nxjerrë prej opozitës i kam pru në pushtet. Kur janë ardhë në pushtet, janë mundu me më rrëzu përditë pse, për njëfarë takse. Këta njerëz janë që ta kanë maru Gjykatën Speciale, jam pas dalë në foltore e iu kam thënë, o mos e bëni se je kah maron monstrum, je kah ia jep Gjykatë Kushtetuese, je tu e bë njëetnike, je t`u e bë jashtë vendit. Këta njerëz thonë na ke borxh. O nuk të kam borxh, po më vjen keq po unë kam njerzillak, po e ke marr vetën në qafë në vazhdimësi e nuk po du me të lënë me gabu, me na bë tollovi në vend”, ka thënë ai.