Haradinaj pas takimit me Kurtin: Kërkuam që marrëveshja ta ketë vulën e ShBA-së

Ka përfunduar takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Para mediave, Haradinaj deklaroi se temë e diskutimit ishte marrëveshja finale me Serbinë.

Ai tha se si AAK, kërkuan “garancë” që marrëveshja të ketë edhe vulën e Amerikës.

“E diskutuam procesin, marrëveshjen e sfidat që i ka Kosova në këtë çështje. Kemi provu me dhanë kontributin tonë si Aleancë që Kosova të arrij sukses. Ky proces duhet ta ketë edhe vulën e Amerikës. E duhura do të ishte që të ndodhte marrëveshja në Uashington. Ishte kërkesë e imja ishte që të kemi edhe vulën e Amerikës” – tha Haradinaj.

Ftesës së Kurtit për takim më kryetarët e partive opozitare i është përgjigjur vetëm AAK-ja.Haradinaj është shoqëruar nga Ardian Gjini, derisa takimi është i mbyllur për media.

LDK dhe PDK e kanë refuzuar ftesën e Kurtit.

Për këtë ftesë, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi tha se i shkoi pa përmbajtje, pa agjendë dhe pa protokoll, që e bëri Krasniqin të dyshojë nëse është e vërtetë ose jo.

Ai tha se vetëm pasi kërkuan sqarime, kuptuan se takimi ishte ftuar të mbahej për një çështje që sipas tij është mjaft serioze, dialogu Kosovë – Serbi.

“Kuptuam me një fjali përmes emailit se bëhej fjalë për një temë shumë serioze siç është dialogu Kosovë-Serbi. Por, pa asnjë detaj konkret e pa specifikuar asgjë” – tha Krasniqi.