Haradinaj pas takimit me Kurtin: Do të jemi opozitë, por jo me metodat e vjetra

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj e ka përfunduar takimin që kishte me fituesit e zgjedhjeve liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe U.D. e Presidentes Vjosa Osmani.

Haradinaj tha se do të jenë opozitë dhe se do të vazhdojnë të qëndrojnë opozitë për t’ju kujtuar funksionin e demokracisë.

“Sapo përfunduam takimin. Ishte konsultë nga ana e tyre si fitues të zgjedhjeve, për formimin e qeverisë dhe të presidentit. Tash kanë ndërru rolet, LVV si fituese e zgjedhjeve është pozitë në ardhje”, tha Haradinaj.

Ai tha se funksioni i tyre është i rëndësishëm si opozitë, për shkak se po synohet koncentrimi i pushtetit në një parti.

Sa i përket pozitës së presidentit, Haradinaj tha t’i jetë kërkuar konstruktivitet Aleancës për partneritet pozitë opozitë.

“Aleanca ka përvojë në opozitarizëm, dikur opozitën e kemi bërë bashkë. I tregova zotit Kurti që nuk do të kthehemi në ato metodat tona të vjetra të opozitarizmit që i kemi pas së bashku se edhe unë jam plak tash s’muj mo. Por do të jemi opozitë me ju kujtuar juve funksionin e demokracisë pozitë opozitë. Do të jemi opozitë”, tha Haradinaj.

Sa i përket pozitës së presidentit se a është tërhequr Haradinaj nga pretendimi, ai tha se Aleanca nuk i ka 2/3 e votave, prandaj sipas tij i takon partisë fituese të gjejnë metodën për të bërë kuorumin.

“Fituesit e zgjedhjeve e gjejnë formulën për qeveri. Aleanca nuk i ka 2/3 për zgjedhjen e presidentit. Është përgjegjësia e tyre si i bëjnë 2/3 e votave”, tha ai.

Haradinaj shtoi se do t’i marrim vendimet në parti se si do të veprojmë në çdo rast.

Ai tha se janë të gatshëm për zgjedhje në çdo rast por kërcënimi me zgjedhje nuk i shkon për shtati askujt.