Foto: KALLXO.com

Haradinaj pas bastisjes së EULEX: Nuk ka arsye për operacione e bastisje, secili do t’i përgjigjet vullnetarisht drejtësisë

Ish- kryeministri i Kosovës dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas arrestimit të kryetarit të organizatës OVL e UÇK-së, Hysni Gucati nga forcat e policisë së EULEX-it sot gjatë një bastisjeje në këto zyre.

Haradinaj ka ritheksuar qëndrimin e tij ‘se publikimi i dosjeve të Gjykatës Speciale ka qenë i gabuar dhe se do e dëmtojë më së shumti shtetin tonë, përfshirë edhe vet të akuzuarit’.

Sipas Haradinajt nuk duhet të krijohet imazhi se Kosova dëshiron ta pengoj punën e Gjykatës Speciale.

“Tentimi për të krijuar imazhin se Kosova është e mobilizuar ta pengojë drejtësinë është i gabuar. Ne nuk kemi qenë e as nuk jemi në anën e kundërt të drejtësisë.  Apeloj te organet e drejtësisë, vendore dhe ndërkombëtare, që të respektojnë të drejtat e të gjithëve. Asnjë i akuzuar nuk do t’i ik drejtësisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sipas Haradinajt ‘nuk ka arsye për operacione e bastisje, sepse secili do t’i përgjigjet vullnetarisht drejtësisë’.

“Kosova është gjithmonë me ligjin dhe me viktimat, sepse vet ishte viktimë e padrejtësive. Vet UÇK-ja dhe populli i Kosovës kanë argumentuar se gjithmonë  janë pozicionuar në anën e drejtësisë, të vërtetës, dhe të drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk ka ndryshuar asnjëherë”, ka theksuar ish-kryeministri. .

Njësitet speciale të Policisë së EULEX-it kanë hyrë në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ku pas një bastisjeje kanë arrestuar kryetarin e kësaj organizate, Hysni Gucatin.

Aksioni i EULEX-it është bërë disa ditë pasi OVLUÇK publikoi në tri seri dosje të Gjykatës Speciale.

Edhe ish-kryeministri Haradinaj është ftuar nga Gjykata Speciale për tu intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

Haradinaj pati dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit pikërisht pas ftesës nga Specialja.

Arrestohet Hysni Gucati