Foto: Arjana Berisha/KALLXO.com

Haradinaj numëron tri arsye pse zgjedhjet duhet të mbahen më 26 janar

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka renditur tri arsye se pse kanë propozuar 26 janarin e vitit të ardhshëm si datë për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë.

Tri arsyet e përmendura, të ndërlidhura me raportet ndërkombëtare, institucionet e pavarura dhe aspektin ekonomik, të shpalosura në një konferencë për media, Haradinaj i ka cilësuar si dështime të kryeministrit Albin Kurti.

Për Haradinaj, arsyeja e parë e Qeverisë Kurti është në marrëdhëniet e jashtme, me aleatët e Kosovës; arsyeja e dytë është kapja e institucioneve të pavarura dhe e treta mungesa e investimeve direkte, mosrealizimi i investimeve kapitale, mungesa e rritjes se pagave dhe sipas tij paaftësia për të ndalur rritjen e çmimeve.

Sipas Haradinajt, Qeveria ka kapur institucionet e pavarura, Policinë, Doganën dhe bordet e ndërmarrjeve deri te Bordi i RTK-së.

“Nuk ka mbet institucion që qeveria Kurti nuk i ka shpallur luftë”- tha ai.

Kreu i AAK-së tha se si parti politike janë të hapur për mundësinë e bashkëpunimit edhe me parti tjera që dëshirojnë “të na i bashkohen koalicionit por aktualisht nuk shoh lëvizje”.

Tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, PDK, LDK e AAK kanë propozuar që zgjedhjet e rregullta në Kosovë të mbahen më 26 janar 2025.

Kjo u bë e ditur nga krerët e këtyre partive pas takimit të thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 01.08.2024, për t’u konsultuar për datën e zgjedhjeve të ardhshme.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar për media pas takimit me liderët e partive politike në vend për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme.

Osmani tha se janë pajtuar që dita e zgjedhjeve të caktohet pas analizës të disa datave të mundshme për organizimin e tyre.

“Disa parti preferuan 25 janarin, disa tjera 2 shkurtin, dhe të tjera që nuk kishin preferencë. Meqenëse shumica nuk kishin kërkesa për konsultime shtesë u pajtuam që pasi të bëjmë analizën e të gjitha datave të caktohet dita e zgjedhjeve. Ky vendim ende nuk është marrë”- tha ajo.