Ramush Haradinaj dhe Edi Rama, Foto: Facebook

Haradinaj: Nuk jam kandidat për president të Shqipërisë

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka sqaruar se nuk është kandidat për president të Shqipërisë.

Në një postim në “Facebook”, Haradinaj ka thënë se disa media shqiptare kanë shkruar se ai është kombinim për president të Shqipërisë e që sipas tij këto janë shpifje.

“Po e shoh që po bëhet fushatë nga gazetarët e shitur, nga mercenarët e mediave, në Tiranë e në Prishtinë, sikur unë qenkam në kombinim për President të Republikës së Shqipërisë. Kjo është një shpifje ordinere, e ulët, e pistë dhe për hesap të kuzhinave që janë edhe kundër Shqipërisë, edhe kundër Kosovës, edhe kundër meje”, ka shkruar Haradinaj.

Tutje, ai ka theksuar se politikisht do të jetë në Kosovë, duke shtuar se Shqipëria i ka njerëzit e saj.

“Për popullin tim të dashur shqiptar, unë jam në Kosovë, do të jem në Kosovë dhe edhe politikisht do të realizohem në Kosovë. Shqipëria i ka njerëzit e saj, që di t’i vendosë në krye të shtetit. Me Kosovën e Shqipërinë e kundër matrapazëve mediatikë e të opinionit publik”, ka thënë Haradinaj.

Ditë më parë Haradinaj ishte takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Tre vite më parë, Edi Rama, si shef qeverie në Shqipëri dhe Ramush Haradinaj si kryeministër i Kosovës kishin mospajtime të thella politike, që lidheshin kryesisht me idenë e korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, Rama dhe Hardinaj kanë lënë anash mospajtimet. Ata janë takuar në kryeqytetin e Shqipërisë.

Edi Rama përgatitet ta padisë Ramush Haradinajn