Foto: KALLXO.com

Haradinaj nuk e përjashton mundësinë e koalicionit me Vetëvendosjen në Prishtinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, nuk e ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje në Prishtinë.

Në emisionin “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Haradinaj tha se ende nuk kanë marrë ndonjë ofertë ose propozim as nga LDK as nga LVV.

Kreu i AAK-së tha se ka biseduar me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas zgjedhjeve por se nuk ka marrë ndonjë propozim prej tij.

Ndërsa, i pyetur nëse është kontaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Haradinaj tha se deri më tani nuk ka ndonjë propozim apo ofertë, por se nëse vjen ndonjë i tillë do ta shqyrtojnë dhe  se në parim, nëse bien dakord, do të arrijnë koalicion me LVV-në në Prishtinë.

Në zgjedhjet e 17 tetorit LVV dhe LDK kanë dalë të parat dhe kandidatët e tyre, Arben Vitia dhe Përparim Rama, do të ballafaqohen në balotazhin e 14 nëntorit.