Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Nuk duhet me lënë në faj Kurtin për Asociacionin, është temë e trashëguar

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk duhet të vihet në faj kryeministri Albin Kurti për çështjen e Asociacionit, pasi sipas tij, kjo është temë e trashëguar.

Ai ka thënë se Asociacionin se ka bërë Kurti dhe sipas tij për këtë çështje duhet të tregohen të gjithë të sinqertë.

“Nuk besoj që duhet më nxan në faj Albin Kurtin dhe Qeverinë për Asociacionin. Nuk e ka bërë ky njeri. E kemi trashëguar të bëhemi të sinqertë. Na ka mbetë në derë sikur edhe ndonjë temë tjetër. Nuk besoj që është në rregull kështu, nuk e ndihmojmë vetën. Të bëhemi të sinqertë. E kemi trashëgimi, e dimë që e kemi” – tha ai.

Tutje Haradinaj ka thënë se askush nuk i ka thënë ish-presidentit Hashim Thaçi më 2013, se nuk e pranojnë marrëveshje pa njohje reciproke.

“Ka rëndësi çka po duam ne të tjerët, njohjen reciproke, por si ta nxjerrim? Situata është e thjeshtë, aleatët tanë e kanë ndihmuar Kosovën deri te një marrëveshje që ta divorcoj Kosovën nga Serbia. Amerika ju thotë të gjithëve, ju përkrahim për partneritet për paqe. Nëse ne i themi qeverisë nuk ta pranojmë pa njohjen reciproke marrëveshjen, matuni mirë çka po i thoni. Nuk i kemi thënë Hashim Thaçit në 2013-tën që nuk ta pranojmë pa njohje reciproke, nuk ju kemi thënë as tjerëve ”, ka thënë ai.

Haradinaj ka shtuar se për AAK-në është i pranueshëm propozimi franko gjerman dhe ka kërkuar nga qeveria ta pranojë atë.