Haradinaj nga Thumana: Ajo që po bën Kosova për Shqipërinë, është njerëzore

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, sot ka qëndruar në Thumanë të Shqipërisë pas tërmetit të së martës i cili shkatërroi shumë objekte e ku vdiqën mbi 40 persona.

Menjëherë pas tërmetit, Kosova në mënyrë institucionale e përmes vullnetarëve, u angazhua për ndihma ndaj popullit shqiptar.

“Ajo që po e bën Kosova, populli i saj për Shqipërinë, është njerëzore, sepse ne ndajmë gëzimin sikurse edhe tash të keqen bashkë. Kujdesi ynë nuk do të mungojë. Ndjenjë e veçantë se sa shumë jemi për njëri tjetrin, në çdo kohë”, citohet të ketë thënë Haradinaj nga zona e prekur e tërmetit.

Ai në Thumanë për vizitë është së bashku me kabinetin e tij nga ekzekutivi.

“Është situatë jo e lehtë këtu tani. Ka familjarë që kane humbur shumë anëtarë. Shihet se është sanuar pasoja e strehimit e kujdesit tjetër. Kryesorja është dhimbja për të vdekurit pastaj edhe ajo që duhet gjetur zgjidhje për atë që kanë mbetur pa streh. Më vjen mirë që sado pak edhe Kosova iu është gjetur afër bashkëkombësve të vetë, vëllezërve dhe motrave të tyre këtu në Thumanë, por edhe në Durrës e kudo”’ tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

“Kishim pas dëshirë që të jemi bashkë vetëm në gëzime, kësaj here është për dhimbje”, deklaroi kryetari i AAK-së.

Kryeministri në detyrë Haradinaj ka vizituar banorët që po qëndrojnë nën tenda, ndërsa familjeve që u kanë humbur familjarët e tyre u ka shprehur ngushëllime për humbjen e më të dashurve.