Haradinaj nga SHBA: Besoj se me Administratën Trump, Kosova do ta zë hapin e anëtarësimit në NATO

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kandidati për Kryeministër nga kjo parti, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e inaugurimit të presidentit amerikan, Donald Trump në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një videomesazhi, Haradinaj ka thënë se beson që me Administratën Trump, Kosova do ta zë hapin e anëtarësimit në NATO.

“Këtu u dha betimi i Presidentit të Amerikës dhe u shpallën objektivat për katër vjet. Besoj që Kosova ka me zënë hapin me këtë Administratë, në qëllimin e vet që të ndodhë anëtarësimi në NATO – direkt dhe shpejt.” – është shprehur Haradinaj.

Gjatë qëndrimit në SHBA, Haradinaj ka zhvilluar takim me Alexander Kasanof, zëvendësndihmës sekretar i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor.

Ai ka thënë se rikthimi i partneritetit strategjik Kosovë-SHBA dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO ishin në fokus të diskutimit të tyre.

“E falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës. Ndava vizionin tonë për një Kosovë të integruar plotësisht, në strukturat euroatlantike dhe ritheksova përkushtimin tonë të palëkundur për të përmbushur të gjitha obligimet, që rrjedhin nga partneriteti ynë me SHBA-në.” – ka thënë Haradinaj.

Haradinaj, ka prezantuar 10 top-prioritetet e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, bashkë me partnerët e saj të koalicionit, Nismën Socialdemokrate, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30.

Sipas Haradinajt, prioriteti i parë në listë është Kosova direkt në NATO dhe, siç thuhet, miqësi e përhershme me SHBA-në dhe BE-në.

Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025. Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.