Haradinaj: Në Vushtrri u tentua të zhbëhej qenia shqiptare

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nëpërmes një postimi në llogarinë et ij në rrjetin social Facebook, kujtoi masakrën e ndodhur në Vushtrri, më 22 maj 1999. Në këtë përvjetor, Haradinaj ka shkruar se në atë ditë të kobshme u tentua të zhbëhej qenia shqiptare.

Ish kryeministri, ka shtuar se shteti serb edhe më tutje refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet e kryera, ndërsa Kosova vijon betejën për të vërtetën.

“Njëzetedy vjet më parë, dhjetëra u vranë e u masakruan e shumë të tjerë shpëtuan me plagë, të cilat i shëroi koha. Por, plagët e shpirtit, kujtimi për ata që na i rrëmbyen, jetojnë përgjithmonë. E vështirë ishte rruga jonë deri në liri. Shteti serb, edhe më tutje refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet e kryera, e ne vazhdojmë betejën tonë për të vërtetën. Kosova nuk harron! Lavdi të rënëve për liri!”, shkroi Haradinaj.