Haradinaj në Uashington: Kosova nuk duhet të harrojë që aleanca me ShBA-të është e përjetshme
Kryetari i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka njoftuar se ka nisur vizitën e tij javore në SHBA.
Haradinaj ka thënë se në Uashington do të qëndrojë dhe do të marrë pjesë në ceremoninë “Lutjet e Mëngjesit” dhe ka thënë se gjatë kësaj vizite do ta ketë një agjendë, e cila, sipas tij do të përfshijë takime në Departamentin e Shtetit, Senat dhe Kongres, e po ashtu edhe takime tjera me institucione të rëndësishme.
“Ndjenjë e veçantë të takoj miqtë e vjetër të Kosovës, znj. Nancy Y. Bekavac, anëtare e Bordit të Universitetit Amerikan (AUK) dhe Shaun Burns, të cilët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë zëri ynë në Amerikë. Me këtë rast, i falënderova për gjithë kontributin e tyre që kanë dhënë me dekada, në veçanti për miqësinë dhe besimin e tyre në Kosovë” – ka thënë ai.
Postimi i tij ka përfunduar duke thënë se “Kosova asnjëherë nuk duhet të harrojë që aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e përjetshme dhe duhet të mirëmbahet me punë, komunikim të sinqertë dhe bashkëpunim të vërtetë”.
Thirrja opozitare për “ruajtje” të raporteve mes Kosovës dhe SHBA-ve vjen pas kërkesave të fundit ndërkombëtare për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë gjetja e një zgjidhjeve që pala kosovare të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kjo çështje është permendur në propozimin e fundit evropian, një plan disa-pikësh i ofruar nga zyrtarët amerikanë e evropianë për Kosovën dhe Serbinë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se e respekton konfidencialitetin e bisedimeve, ndërsa për asociacionin ka shtuar se ka insistim të ndryshëm ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjes. Sipas tij marrëveshja për asociacionin, sipas draftit fillestar nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.