Haradinaj në takim me delegacionin amerikan shtron nevojën urgjente të arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka informuar që është takuar me delegacionin amerikan.

Haradinaj ka treguar se në këtë takim ka shtruar nevojën e arritjes së marrëveshjes finale për njohje të ndërsjellë me Serbinë.

“Në një takim përmbajtjesor me delegacionin nga Departamenti i Shtetit i kryesuar nga z. Derek Chollet, Këshilltar i lartë, z. Gabriel Escobar, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë, z. Spencer Boyer, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe NATO-n, dhe me Ambasadorin Amerikan në Kosovë, z. Jeffrey Hovenier, shtrova nevojën urgjente të arritjes së marrëveshjes finale për njohje të ndërsjellë me Serbinë, si hap i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.” – ka shkruar kreu i AAK-së në “Facebook”.

Ai po ashtu tregon se ka shtruar nevojën e integrimit të plotë të qytetarëve serbë në institucionet e Kosovës dhe zbatimin e plotë të rendit dhe ligjit në tërë vendin.

Në këtë takim, Haradinaj thotë se ka falënderuar përfaqësuesit amerikanë për ndihmën e  vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës dhe ka kërkuar edhe më tutje mbështetjen e tyre edhe në këtë fazë të ndjeshme pa të cilën konsideron se vështirë do të mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare e paqes.