
Haradinaj në Suharekë: Katër vjet nuk ka qenë në rregull qeverisja as në planin e brendshëm, as të jashtëm
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bashkë me partnerët e saj të koalicionit, Nismën Socialdemokrate, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30, dhe Listën Ideal më 14.01.2025, e kanë vazhduar fushatën për zgjedhjet e 09.02.2025 me një tubim në Suharekë.
Kandidati për kryeministër i koalicionit, Ramush Haradinaj, ka thënë se në katër vitet e fundit qeverisja as punët nuk kanë shkuar mirë.
Ai ka thënë se për të qenë i fortë shteti përjetësisht duhet të anëtarësohet në NATO.
“Katër vjet nuk kanë qenë në rregull, as qeverisja, as punët tona. As në planin e brendshëm, as në planin e jashtëm. Si ta ndreqim situatën? Njëherë e përgjithmonë duhet me ia fillu prej sigurisë. Siguria duhet të jetë e plotë dhe e përjetshme. Sado që i fortë vetë, për me u siguru përjetësisht është me u anëtarësu në NATO”- u shpreh ai.
Ai ka thënë se duhet në çdo komunë të ketë zhvillim ekonomik.
Ndërsa kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, njoftoi se gjatë ditës kanë vizituar Parkun Industrial, duke thënë se ky park e ka transformuar qytetin e Suharekës.
Ai premtoi kushte me të mira për qytetarët e kësaj komune, duke thënë se rruga për ta bërë Kosovën me të fuqishme është me kandidatin për kryeministër, Ramush Haradinaj.
Gjatë ditës, Haradinaj ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargraeves.
Haradinaj tha se me Hargraevesin diskutuan me theks të veçantë mbështetjen britanike për rrugën e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
“Me Ambasadorin ndamë vizionin e përbashkët për një Kosovë të integruar plotësisht në strukturat Euro-Atlantike. Rruga jonë drejt NATO-s është e pakthyeshme dhe strategjikisht e domosdoshme për sigurinë rajonale” – tha Haradinaj, transmeton klankosova.tv.
Më tej, Haradinaj tha se partneriteti mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar do të forcohet edhe më tej në funksion të objektivave të përbashkëta për një Kosovë e rajon të sigurt.
Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i është bashkuar Shkelzen Komoni, kirurg maksillofacial.
Sipas Haradinajt, Shkelzen Komoni njihet për humanitet, pozitivitet e optimizëm.
“Aleancës sot iu bashkua Dr. Shkelzen Komoni, një prej kirurgëve më të njohur maksillofacial. Shkelzeni i lindur në Prishtinë, është nga një familje e mirënjohur atdhetare e intelektuale me origjinë nga Gjakova”.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.
Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.