Haradinaj në Rahovec zotohet për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bashkë me partnerët e saj të koalicionit, Nismën Socialdemokrate, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30, dhe Listën Ideal, më 16.01.2025 e kanë vazhduar fushatën për zgjedhjet e 09.02.2025 me një tubim në Rahovec.

Kandidati i koalicionit për kryeministër, Ramush Haradinaj, edhe një herë ka përsëritur zotimin se me ardhjen e tij në pushtet Kosova do të anëtarësohet në NATO.

Situatën aktuale të sigurisë ai e ka quajtur improvizim.

“Kemi një situatë të sigurisë që është një lloj improvizimi, jemi mbetë lajm për tema të sigurisë, jemi sulmu, na është vra një polic, jemi sulmu në objekte, në infrastrukturë. Është shkatërruese koncepti i tillë improvizues i sigurisë, bën shumë sherr. Kur atyre i duhet më shtu trupa të KFOR dhe EULEX i bie që ne nuk e kemi marrë veten mirë. Ne duhet me hy në NATO. Dhe mund të ju them që kam punu në këtë temë dhe rezultatin do ta kemi shumë shpejt lajmin e anëtarësimit të Kosovës” – ka thënë ai.

Ndërsa kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se partneriteti është fuqi dhe se secili nga ta duhet ta shohë si vlerë të shtuar rreshtimin për t’i sjellë Kosovën siguri, energji, të hyra, mirëqenie e të tjera.

Ai ka ftuar qytetarët të votojnë këtë koalicion pasi, sipas tij, Kosova ka nevojë për politikanë të pjekur e zëra racionalë.

“Ne refuzojmë përçarje, gjuhën helmuese që po dëgjojmë”- u shpreh ai.

Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.