Haradinaj në konak te ministri Yagcilar për iftar

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka qenë në konak te ministri Mahir Yagcilar për iftar.

“Sot, isha i nderuar me ftesën e ministrit Mahir Yagcilar në Prizren, që të bëjmë iftar së bashku dhe të ndajmë të mirat e Zotit me plot respekt, siç kemi bërë gjithmonë në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka thënë se shqiptarët paraqesin shembullin më unik në botë ngase vetë përkasin në fe, rite e tarikate të ndryshme, por ata kanë një gjuhë dhe një Atdhe dhe kurdoherë i kanë respektuar të tjerët.

E për turqit e Kosovës, Haradinaj ka thënë se janë ‘bashkëudhëtarët tanë nepër shekuj dhe ne i çmojmë si vlerë e shtuar e Atdheut’.

Kryeministri i ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës që janë duke agjëruar.

“Të gjithë ju që agjëroni, Zoti ua shtoftë të mirat, forcën e shpirtit dhe mendjes, në shërbim të njëri tjetrit dhe lirisë që e fituam me shumë mund. Paçi agjërim të lehtë dhe të pranuar!”, ka shkruar ai.