Foto: Ramush Haradinaj, Facebook

Haradinaj në Junik premton investime infrastrukturore dhe zhvillim të turizmit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bashkë me partnerët e saj të koalicionit, Nismën Socialdemokrate, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30, e kanë vazhduar fushatën zgjedhore me një tubim në Junik.

Kandidati i koalicionit për kryeministër, Ramush Haradinaj, më 02.02.2025 ka premtuar se me qeverinë e drejtuar nga ai në Junik do të vazhdojmë investimet infrastrukturore dhe investimet për zhvillimin e turizmit.

Ai ka premtuar trefishim të subvencioneve dhe granteve.

“Në Junik do të vazhdojmë investimet infrastrukturore dhe investimet për zhvillimin e turizmit.  Do të trefishojmë subvencionet për bujqësi dhe do të ndajmë grante pa kthim për të rinjtë që hapin biznese. Pensione jo më të vogla se 500, e paga mesatare mbi 1000 euro. Bursa për të gjithë studentët, si në universitete publike ashtu edhe në ato private. Energji elektrike 24 orë, me çmim të paktën 20 përqind më të lirë”- ka thënë ai.

 

Fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.

Partitë politike po mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.