Fotografia e shpërndarë nga Ramush Haradinaj sot më 29.04.2021, Foto: Facebook

Haradinaj në iftar në Deçan, thyen masat kundër COVID-19

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thyer rregullat e vendosura kundër përhapjes së COVID-19, duke marrë pjesë ose organizuar një iftar në një odë në komunën e Deçanit.

Ky iftar sipas një përshkrimi të Haradinajt në rrjetin social Facebook, është në trevjetorin e vdekjes së bashkëluftëtarit të tij Jeton Kuçit.

“Sonte u bashkuam për iftar në odën e MetëSylëve në Deçan, pikërisht në 3-vjetorin e ndarjes tragjike nga jeta të bashkëluftëtarit Jeton (Qazim) Kuçi. Fati e deshi që të ndahet shumë herët nga ne, duke e lënë të pashuar kujtimin për të”, thuhet në njoftim.

Fotografia e shpërndarë nga Ramush Haradinaj sot më 29.04.2021, Foto: Facebook

Gjithashtu Haradinaj ka shkruar edhe se i kishte ndarë medalje “Me besim në zot, atdhe e shtet” një bashkëluftëtari të tij Qazim Kuçit, siç ka theksuar për kontribut në çështjen kombëtare.

Por ky organizim sipas vendimit të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë është në kundërshtim me masat të cilat janë marrë për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19.

Në vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës ndalohen të gjitha grumbullimet me më shumë se 30 persona.

Në fotografinë të cilën e ka shpërndarë Haradinaj shihen më shumë se 40 persona.

Kujtojmë se një aksion i AUV në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ishte ndërmarrë pas disa informacioneve se në lokale e objekte të ndryshme po mbahen pritje të iftareve dhe numri i personave në ato hapësira po tejkalohej.