Ramush Haradinaj në Gjakovë, 07.02.2025, Foto: Ramush Haradinaj/Facebook

Haradinaj në Gjakovë: Paga mesatare do të jetë mbi 1,000 euro dhe asnjë pension nuk do të jetë nën 500 euro

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryeministër, Ramush Haradinaj, në ditën e parafundit të fushatës zgjedhore, më 07.02.2025, ka mbajtur tubim elektoral në Gjakovë.

Sipas Haradinajt, Gjakova do të jetë qendër e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Haradinaj ka theksuar se të gjithë qytetarët e Kosovës do të përfitojnë nga programi i tyre ekonomik, pasi ka premtuar se: çdo punëkërkues do të ketë mbështetje financiare deri në punësim, të rinjtë do të marrin grante pa kthim për bizneset e tyre.

“Paga mesatare do të jetë mbi 1,000 euro dhe asnjë pension nuk do të jetë nën 500 euro. Do ta ulim çmimin e energjisë për 20% dhe do të sigurojmë furnizim pa ndërprerje. Çlirimtarët do të marrin pension 500 euro, pa shkëputje nga puna. Do të trefishojmë subvencionet për bujqit” – ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka premtuar se autostrada e Dukagjinit që lidh Prizrenin me Mitrovicën do të kalojë përmes Gjakovës dhe sipas tij kjo do të bëhet “arteria kryesore e zhvillimit”.

Për hekurudhën Fushë-Kosovë – Durrës, Haradinaj ka thënë se do t’i japë Gjakovës lidhje të drejtpërdrejtë me portin më të madh të rajonit. 

“Zona e biznesit amerikan do ta shndërrojë Gjakovën në qendrën më të madhe shpërndarëse të rajonit. Aeroporti i Gjakovës do të hapet për fluturime komerciale, duke u bërë aeroporti i dytë i Kosovës” – ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka premtuar po ashtu se rruga Gjakovë-Klinë do të përfundohet brenda 6 muajve të parë të qeverisjes së tyre.

“Industria prodhuese ushtarake dhe poligoni i NATO-s në brezin kufitar do ta bëjnë Gjakovën qendër të sigurisë rajonale” – tha Haradinaj.

Ramush Haradinaj ka potencuar se me anëtarësimin direkt në NATO dhe aleancën e përhershme me Amerikën, Kosova do të jetë e sigurt dhe e zhvilluar. 

Fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.

Partitë politike po mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.