Haradinaj në Durrës: Janë rreth 500 të strehuar në kampin Gjerman në Prizren

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj së bashku me një pjesë të kabinetit qeveritar ka vizitur sot zonën e cila është goditur nga tërmeti në Durrës.

Haradinaj u  pritë nga pjesëtar të Policisë së Kosovës, dhe Policisë së Shtetit, dhe nga ushtar të të dyja vendeve.

Haradinaj ka folur para mediave së bashku me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ku ka thënë se ndjehet i lumtur  për përkrahjen që po  i ofrohet kësaj zone pas tërmetit të ndodhur.

“Jam i nderuar që me një pjesë të kabinetit qeveritar dhe në shoqërim të presidentit të Republikës së Sqipërisë jemi në Durrës, jemi për të dhënë përkrahje të mëtejme për të angazhuarit, ushtarët dhe zyrtarët policor. Ne do të vazhdojmë të jemi në përkrahje të vazhdueshme”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka folur edhe për donacionet të cilat po dërgohen nga Kosova për personat e prekur nga tërmeti në Shqipëri, ku është pyetur rreth keqpërdorimeve të tyre.

“Nuk kemi dilema që donacionet i janë dërguar të prekurve, kuptohet është vështirë të menaxhohen dhe të koordinohen”, ka thënë Haradinaj.

Ai tutje ka folur edhe për personat të cilët janë strehuar në Kosovë.

“Nga Kosova nuk do të kursejmë asgjë që të ndihmojmë, kemi një numër të caktuar të qytetarëve të Shqipërisë që janë në Kosovë, disa janë në shtëpi private, disa janë në një kamp gjerman në Prizren, janë rreth 500 të strehuar aty, do të jemi në gatishmëri edhe më tutje”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, presidenti i Republikës së Shqipërisë ka falënderuar shtetin e Kosovës, pjesëtarët e Policisë së Kosovës, dhe poashtu ushtarët të cilët sipas tij kanë shkëlqyer në reagimin e menjëhershëm për ndihmë.

“Duhet të jeni krenar për FSK-në, për policin sepse jam i sigurt që çdo vend i NATO-së do të ishte krenar për më të mirën që e kanë shfaqur pa u lodhur, faleminderit për këtë solidaritet vëllazëror”, ka thënë  Meta.

Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri bën të ditur se numri i personave që kanë marrë lëndime nga tërmeti i 26 nëntorit ka shkuar në 900, ndërsa kanë humbur jetën të paktën 49 persona..

“Gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Durrësit dhe të Traumës janë paraqitur 52 qytetarë të lënduar/ të traumatizuar si pasojë e tërmetit, të cilët kanë marrë trajtim mjekësor. Shkon në rreth 900 numri i të lënduarve nga tërmeti që kanë marrë trajtim në spitale, nga të cilët 731 vetëm në spitalin e Traumës dhe Durrësit. Aktualisht janë të shtruar 63 të lënduar, gjendja e të cilëve paraqitet e stabilizuar, përveç një person që paraqitet në gjendje më të rënduar”, sqaron ministria.

Ministria thotë se janë gjithashtu rreth 1 mijë e 107 vizita mjekësore të kryera për banorët e prekur nga tërmeti që po marrin trajtim në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura pranë zonave të prekura.

“Mbi 350 persona kanë marrë shërbimin mjekësor pranë kampit të emergjencës në Thumanë dhe pikave të ngritur në Durrës. Me ekipet e ngritura në terren është siguruar pajisja me medikamente për të sëmurët kronikë. Urgjenca kombëtare ka përballuar 5094 thirrje për ndihmë që nga momenti i rënies së tërmetit dhe ka realizuar 1311 misione me autoambulancë”, thuhet në njoftim.

Ministria thotë se janë në gatishmëri të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti.

49 të vdekur dhe 900 të lënduar nga tërmeti në Shqipëri

.