Foto: Ramush Haradinaj, Facebook

Haradinaj në Drenas premton ujë të pijshëm 24 orë, çerdhe, stadium dhe Parkun e dytë të Biznesit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bashkë me partnerët e saj të koalicionit, Nismën Socialdemokrate, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30, e kanë vazhduar fushatën zgjedhore me një tubim në Drenas.

Më pak se një javë para zgjedhjeve, kandidati i koalicionit për kryeministër, Ramush Haradinaj, më 03.02.2025 para qytetarëve ka premtuar ujë të pijshëm 24 orë, çerdhe publike, stadium të ri dhe Parkun e dytë të Biznesit në Korreticë.

Lideri i AAK-së është zotuar për përfundimin e rrugës me 4 korsi Drenas – Skenderaj.

“Drenasi meriton më shumë dhe do të marrë më shumë! Rruga me 4 korsi Drenas-Skenderaj do të përfundojë. Furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë do të jetë realitet për të gjithë qytetarët e Drenasit. Do të ndërtojmë çerdhe publike, që secilit fëmijë t’i ipet mundësia e arsimit parashkollor. Stadiumi i ri dhe Parku i dytë i Biznesit në Korroticë do ta transformojnë Drenasin në qendër të zhvillimit ekonomik të Kosovës”- ka thënë ai.

Ndërsa, ka përseritur premtimin se nuk do të ketë pagë nën 1 mijë euro e asnjë pension nën 500 euro.

“Do të ulim çmimin e energjisë për 20% dhe do të trefishojmë subvencionet për bujqit.  Çlirimtarët do të marrin pension pa shkëputje nga puna. Punëkërkuesit do të kenë mbështetje financiare deri në punësim. Sistemi shëndetësor do të reformohet tërësisht. Çdo student do të ketë bursë, ndërsa të rinjtë që nisin biznes do të marrin grante pa kthim”- ka thënë ai.

Haradinaj tutje ka thënë se anëtarësimi direkt në NATO dhe aleanca e përhershme me ShBA-të dhe BE-në janë çelësi i zhvillimit dhe prosperitetit të vendit tonë.

Fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.

Partitë politike po mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.