Ramush Haradinaj - Kryeministër në dorëheqje

Haradinaj: Ndarja nuk është rrezik, do të kemi presione për ‘Dodik Republikë’

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka mbajtur konferencë për media pas kthimit nga SHBA-të me ç’rast ka thënë që edhe një herë e ka bërë me dije qëndrimin se nuk ka lëvizje të territoreve.

Ka qenë shumë me rëndësi që kam shkuar, pra t’i qartësojmë pozicionet e Kosovës, po flas si kryetar qeverie por edhe si lider politik, qëndrime të qarta kundër lëvizjes me kufi e ndarjes. Ka qenë me rëndësi me qenë atje, pasi që edhe presidenti Vuçiq edhe Serbia janë jashtëzakonisht aktivë, njëkohësisht ka qenë me rendësi të flasim edhe për pamundësinë që Kosova me adoptu një model si Bosnja”, tha Haradinaj.

Tutje kryeministri Haradinaj tha se nuk ka pasur takim me kryeministrin serb.

“Unë nuk kam pasur takime me palën serbe, nuk e kam takuar as presidentin Thaçi por kam takuar z. Palmer, ndihmëssekretar i Shtetit, dhe z. Heusgen që është i afërt me kancelaren Merkel, me qartësu gjendjen e tashme dhe atë që shkon ma tutje”, tha Haradinaj.

Sipas tij pikërisht në vitin e kaluar në këtë kohë i ka ndalur ‘pazaret’ politike për shkëmbim të territoreve.

“Tash një vit kam mund me i zënë në vepër ata që kanë qenë duke provuar me nda Kosovën, kam shku edhe një herë me i tregu që ende jemi këtu, tash edhe më të fortë”, tha ai.

Duke folur për dallimet në qëndrime me presidentin Thaçi për sa i përket shkëmbimit të territoreve, Haradinaj tha që Kosova tani rrezikon nga një ‘Dodik-Republikë’

“Unë nuk mund të përkrah ide për ndarjen e vendit tim, humb Kosova, të gjithë nëse e duan këtë vend duhet me mbrojtë vendin mos me leju këto ide me pasë ndarje. Ndarja nuk është rrezik për Kosovën. Serbia vazhdon me vajtu për ndarjen, por do të ketë presione edhe për një Dodik Republikë”, tha ai.

Haradinaj foli edhe për ‘zgjedhjet e vështira’ në dialogun Kosovë-Serbi për të cilën ka thënë që gabimi është bërë në fillim.

“Republika e Kosovës ka bo gabim në të kaluarën që ka pranuar që na duhet me ble njohjen me diçka të çmueshme, në fund të fundit ne mundemi edhe pa njohjen nga Serbia. E dhimbshme është marrja e njohjes që ne duhet me bo pajtim me Serbinë por jo falje, ne duhet me kalu nëpër krejt ato dhimbje që i kemi, e dhimbshme do të jetë edhe me e hap tregun për Serbinë”, theksoi Haradinaj.