Kryeministri Ramush Haradinaj - Foto: Facebook

Haradinaj: Ndale grevën ose jep dorëheqje Albin Kurti!

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti ta ndalë grevën ose të japë dorëhje.

Kërkesa e Haradinajt vjen si pasojë e grevës në arsim, e cila ka nisur që një muaj.

Kryetari i AAK-së gjithashtu ka kërkuar shkarkimin e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Ndale grevën ose jep dorëheqje Albin Kurti! Shkarkoje që sonte ministren e arsimit dhe merr vendim për hapjen e shkollave. Mos shko më larg sepse edhe ashtu ke kapërcyer çdo kufi!” – është shprehur Haradinaj.

Tutje ai ka thënë se nuk ka një rast tjetër në kohë paqeje që shkollat mbeten të mbyllura një muaj.

Haradinaj ka thënë se kryeministri ose duhet të gjejë zgjidhje menjëherë, ose duhet ta pranojë se është i paaftë dhe të lëshojë rrugë.

“Debati që ai e ka hapur me sindikatat, është tallje me një popull dhe shprehje e paaftësisë së tij” – thotë tutje i pari i AAK-së.

Haradinaj shtoi se sindikatat mund të jenë aty për t’ia nxirë jetën atij e çdo kryeministri tjetër dhe mund të jenë kundër tij, por, sipas tij, ai që duhet të gjejë zgjidhje është kryeministri e askush tjetër.

“Kush je ti që i ke dhënë të drejtë vetes që t’i lësh në rrugë 300 e sa mijë fëmijë!? A e di që e ke bllokuar krejt shtetin me kryeneqësinë tënde!” – shprehet Haradinaj.