
Foto: Ramush Haradinaj/Facebook
Haradinaj: NATO në qiell e UÇK në tokë ndaluan përfundimisht kasapin e Ballkanit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se 24 Marsi nderohet shumëfish, prej kur filloi Epopeja e Dukagjinit e deri tek intervenimi i NATO-s një vit më vonë.
Ai ka thënë se NATO në qiell e UÇK në tokë e kurorëzuan Kosovën me liri e pavarësi.
“Sot nderojmë Kosovën duke nderuar të rënët e asaj dite, nderojmë ShBA-në dhe partnerët duke mos harruar asnjëherë që NATO në qiell e UÇK në tokë, ndaluan përfundimisht kasapin e Ballkanit e Kosovën e kurorëzuan me atë që i takonte, lirinë e pavarësinë”- ka shkruar ai.
Në 27-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, ai ka kujtuar dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend Mehmetaj dhe Agron Mehmetaj.
“Me 24 Mars të vitit 1998, ranë tre djem të ri; Hima, Gazmendi e Agroni, por nuk u thyem! Flamurin e tyre e mbajtëm lartë, për UÇK-në çdo i rënë ishte plagë e mbështjellur me frymëzim që të mos ndalonim deri në momentin kulmor, atë ditë kur NATO në krye me SHBA dha sinjalin që Kosova po çlirohej, që lufta jonë ishte e drejtë”- ka thënë tutje ai.
Në kujtim dhe nderim të përvjetorit të Epopesë së Dukagjinit edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qëndruar në Gllogjan.
“Flakadan i lirisë” është epiteti që presidentja i ka vendosur Epopesë së Dukagjinit, duke shtuar se është nga momentet më të ndritura të luftës për liri.
“Në themelet e Kosovës së pavarur qëndron sakrifica e heronjve të UÇK-së, e familjes Haradinaj dhe e të gjithë atyre që u ngritën kundër padrejtësisë, e për lirinë dhe shtetin tonë” – ka shkruar mes tjerash Osmani.
Më 24 mars 1998 në Gllogjan u zhvillua beteja mes UÇK-së dhe forcave pushtuese serbe.
Në këtë betejë ranë dëshmorë: Himë Haradinaj, Gazmend Mehmetaj dhe Agron Mehmetaj.