Haradinaj: Mini-schengeni i propozuar nga Rama e Vuçiq, influencë e Rusisë në Ballkan

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk duhet që të flitet për zgjedhjet e reja por që duhet pritur që të bëhet implementimi i rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Haradinaj u shpreh se nëse dështon implementimi i rezultatit atëherë vendi mund të shkojë përsëri në zgjedhje.

“Me rëndësi që këto janë zgjedhjet janë më të mirat e mundshme, nuk duhet harruar ky fakt. Duhet të bëjmë reformë zgjedhore, duhet me i shkurtuar këto kohë të ankesave. Ai është vendim i votuesve kur përmbyllët rezultati zgjedhor. Aleanca është në opozitë, nuk kemi bërë ankesa as nuk kemi kërkuar stërzgjatje të procesit. Jemi për implementim të rezultatit. Njëherë është herët për të folur për zgjedhje të reja. Duhet të respektojmë ajo që ka ndodhë pasi që sovrani ka vendosë. E nëse dështon implementimi atëherë kuptojmë qe do të shkojmë në zgjedhje”, ka shkruar Haradinaj në një konferencë për media, të martën.

Përveç kësaj, ai u pyet për liberalizimin e vizave për të cilën u shpreh optimist duke përsëritur se mund të ndodhë këtë vit.

“E di që ka shumë skeptikë, ndoshta ka edhe të atillë që nuk dojnë me pa liberalizimin por mos harroni që jemi në punë gjatë muajit nëntor. Nuk dua të jep detaje tash por më vonë. Ne e përmbyllim edhe një proces të rëndësishëm që me ndodhë marrja e vendimit e liberalizimit këtë vit. Mundet me i mbetë edhe qeverisë tjetër po s’ka dert”, deklaroi Haradinaj.

Gjithashtu ai komentoi edhe ‘mini-schengenin’, që sipas tij, Kosova nuk ka interes nga kjo.

Ai tha se ‘mini-shengen’ është zgjerim i influencës ruse dhe kineze në Ballkan.

“Mini-schengeni’ për të cilin po na fton Vuçiqi, Edi Rama dhe Zaevi është vetëm zgjerim i influencës ruse dhe kineze në Ballkan. Pra, mini shengeni nuk është interes i Kosovës as i Evropës. Rusia edhe Kina janë të instalume në të gjitha aspektet në Ballkan, në ekonomi, siguri, politikë, kur ne i bëjmë rregullat e njëjta me automatizëm kjo influencë zgjerohet në vendet tona. A ka interes Kosova që mu zgjeru influenca ruse dhe kineze në Kosovë, natyrisht që nuk ka”, deklaroi kryeministri në largim.

Mali i Zi refuzon ‘Mini Schengen’-in ballkanik