Foto: AAK/ Facebook

Haradinaj mesazh Vuçiqit: Kur të bëhem president njihe Kosovën, ose ne bashkohemi me Shqipërinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj i cili nga zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit synon postin e presidentit, tha se nëse e merr këtë pozitë, do t’i thotë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq ta njohë Kosovën si shtet, “ose bashkohemi me Shqipërinë”.

“Kur të bëhem president vendi, me emër të Zotit e me ndihmën e juaj, unë i bëj të fala Vuçiqit, bëhu gati o me njoftë Kosovën, mos na vono më se nuk e kemi njet’ me të prit, dhe se qysh e kemi kryer punën me ushtrinë, me Trepçë, me pavarësim energjetik, pra ne i grahim rrugës tonë e bashkohemi me Shqipërinë. Nuk ke kah ia mban”, tha Haradinaj.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj javë më parë ka nisur të proklamojë para zgjedhjeve “bashkimin me Shqipërinë” përmes një referendumi, nëse Kosova vazhdon të mbetet mbrapa në integrimin euroatlantik.