Haradinaj: Me qeverisjen tonë nuk do të ketë pagë mesatare nën 1 mijë euro

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj me partnerët e Koalicionit AAK-Nisma-Konservatorët, në një konferencë pas shpalljes së datës së zgjedhjeve të përgjithshme, tha se më 9 shkurt të vitit 2025, Kosova do të bëj ndryshimin e madh.

Haradinaj dha disa premtime për raportet me aleatët e Kosovës, mirëqenien e qytetarëve e rritjen e pagave.

Ai tha se në qeverisjen e tij nuk do të ketë pagë mesatare nën 1 mijë euro.

“AAK me partnerët e koalicionit janë bërë bashkë të përballen me këtë qeveri që ka shkel mbi çdo vlerë, që ka tradhtuar besimin e qytetarit, të varfëritë dhe diasporën. Jemi bashku për zhvillimin e Kosovës, për të rritur pagat e ulur taksat. Me qeverisjen tonë nuk do të ketë pagë mesatare nën 1,000 euro e paga minimale nuk do jetë nën 500 euro”- u shpreh ai.

Sipas Haradinajt, Kurti nuk i ka rrit pagat, ndërsa tha se ‘me siguri do i rris në javën e fundit para zgjedhjeve’.

“Nuk e lejojmë asnjë qeveri që me i lëndu raportet me aleatët”- u shpreh tutje ai.

Ndërsa ka njoftuar se AAK dhe partnerët e koalicionit kanë nisur përgatitjet për zgjedhje, programin e kemi dhe për listën e kandidatëve.

Presidentja Vjosa Osmani ka caktuar 9 shkurtin 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

Presidentja ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizmin e këtyre zgjedhjeve.

Më 31.07.2024 presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar takim me liderë të partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.