Haradinaj me mesazh për qytetarë serbë: Urat dhe rrugët duhet të na lidhin e jo të na ndajnë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka nisur ditën me një mesazh për qytetarët serb të Kosovës.

Ai ka komentuar situatën e krijuar pas çështjes së krijuar lidhur me hapjen e Urës së Ibrit, e cila gjendet në mes të Mitrovicës së Jugut e asaj të Veriut.

Haradinaj kërkoi nga serbët e Kosovës që të mos protestojnë kundër lëvizjes së lirë.

“Urat dhe rrugët duhet të na lidhin e jo të na ndajnë. Mos u bëni pre e politikave shkurtpamëse e të protestoni kundër lëvizjes së lirë” – tha i pari i AAK-së.

Tutje ai shtoi se Ura e Ibrit duhet të jetë simbol i një jete të përbashkët e të pa alternativë.

“Liria e lëvizjes si vlerë universale është e sotmja dhe e ardhmja. Ndarjet e përplasjet na rikthejnë në memorie të kaluarën e tragjeditë tona” – shtoi Haradinaj.

Sot, më 07.08.2024, në sheshin “Car Lazar” qytetarët serb të veriut do të mbajnë protestë.

Ekipet e KALLXO.com janë duke përcjellë këtë protestë, për mbarëvajtjen e së cilës pritet të kujdeset Policia e Kosovës.

EULEX në urën e Ibrit, pritet të fillojë protesta e paralajmëruar

Dje, më 06.08.2024 është bërë një inspektim teknik në urën kryesore mbi lumin Ibër.

KALLXO.com raportoi se kompania fituese për këtë isnpektim është përzgjedhur “IPE-PROING”. Punëtorët e kompanisë dolën në terren për të kryer disa matje të urës.

Nga kompania nuk pranuan të deklarohen ndërsa, përmes telefonit refuzuan të japin detaje.

Ministria e Infrastrukturës përmes platformës elektronike ka publikuar kontratën për dhënien e një tenderi me titull “Përcaktimi i kapacitetit mbajtës të strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër në Mitrovicë, me ngarkesa testuese”.

Vlera e tenderit është 9 mijë e 640 euro.

Misioni paqeruajtës në Kosovë, KFOR, më pas bëri të ditur se komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş ishte njoftuar nga drejtori i Policisë së Kosovës për këtë inspektim.

Prej kur nisi diskutimi në publik për mundësinë e hapjes së urës mbi lumin “Ibër” përfaqësues të shteteve të huaja në vendin tonë e kanë kundërshtuar si ide.

KFOR ishte njoftuar për inspektimin teknik në Urën e Ibrit