
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në seancën e përbashkët mes Kuvendit të Kosovës e Kuvendit të Shqipërisë, 20.12.2024, Foto: Antigona Isufi/KALLXO.com
Haradinaj me akuza për qeverisjen e Kurtit: Kosova në një thes me Korenë e Veriut
Edhe pse pati vetëm tre minuta në dispozicion gjatë seancës të përbashkët të Kuvendeve Kosovë – Shqipëri, më 20.12.2024, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i shfrytëzoi për të akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Unë mendoj që çdo veprim i Kurtit është në përputhje të plotë me agjendën e Serbisë dhe të Rusisë.” – ripërsëriti Haradinaj akuzat e tij të pretenduara.
Haradinaj akuzoi se dora e Kurtit “ka depërtuar edhe te bashkëkombësit tanë edhe në Maqedoni e Preshevë, bile e bëri edhe një përpjekje në Shqipëri, por ju nuk e latë.”
Po ashtu, ai tha se marrëdhëniet me Shqipërinë këto katër vjet, gati sa nuk e kanë prekur fundin.
Ndërsa, për masat e BE-së ndaj Kosovës, Haradinaj tha se për shkak të Kryeministrit Kurtit, “vendi është në një thes me Korenë e Veriut”.
Masat ndëshkuese të BE-së u aplikuan në qershor të vitit 2023, e shpresat se ato të hiqeshin sivjet ishin të mëdha në Kosovë.
Ai e akuzoi Kurtin edhe për sulmin terrorist, për të cilin përsipër e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, që ndodhi në Banjskë në shtator 2023 e la të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Sulm ky i cili u dënua nga BE e SHBA.
“Hapat e gabuar dhe të pakoordinuar kanë bërë që Serbia nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare të shihet si viktimë e Kosova thënë më së buti, e papërgjegjshme dhe shtet jo serioz.” – tha ai.
E Kryeministri Kurti gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e përbashkët mes Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, deklaroi se Kosova e Shqipëria kanë obligim që të bëjnë më shumë, jo vetëm ndaj qytetarëve të dy shteteve, por edhe të atyre në Luginë, në Maqedoni të Veriut e në Mal të Zi.
Kurti tha se shqiptarët nën Serbi janë komuniteti etnik më i diskriminuar në Europë.
“Prandaj ata meritojnë vëmendje më të madhe në bashkërendimin e politikave rajonale të Shqipërisë e Kosovës.” – tha Kurti, më 20.12.2024.
Para Kurtit, foli kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili u shpreh se do të ishte shumë mirë, nëse edhe Kosova njëjtë si Shqipëria do të ecte me hapat e Shqipërisë, në marrdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
Kështu deklaroi Rama duke cituar fjalët e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova rreth 20 vjet më parë.
“Plot 20 vjet më parë në vitin 2004, Presidenti gjithnjë më i pranishëm me mungesën e tij në jetën politike, tha diçka edhe për ne sot, duke na kujtuar se “objektivat e përbashkëta të Kosovës e të Shqipërisë janë integrimi në BE, NATO dhe miqësi të përhershme me SHBA-në.”
“E themi me bindje të plotë se shqiptarët në përgjithësi janë në rrugë të progresit, janë populli më dinamik në këtë pjesë të botës dhe kanë shansin historik të hyjnë në familjen e madhe europiane.” – shtoi Rama.
Në një vijë mendimi, Rama tha se këtë mundësi, Kosova mund ta shfrytëzojë vetëm si “trimi i mirë me shokë shumë”.
“Dëshira ime e zjarrtë, e patregueshme me fjalë është që të mos jemi njëri në tryezën e negociatave me Bashkimin Europian e tjetri në listën e sanksioneve të BE-së.” – tha Rama para të pranishmëve.
Rama përmendi edhe fatin e ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.
Rama tha se çuditet që askush në Kuvendin e Kosovës nuk ka nisur një Rezolutë kundër Gjykatës Speciale – duke kërkuar që një gjë e tillë të bëhet. Ai tha se do t’i bashkoheshin kësaj nisme.
Kurse, presidenjta e vendit, Vjosa Osmani ua ka bërë me dije dy Qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë, se shqiptarët e Luginës së Preshevës i kanë sytë nga Kosova e Shqipëria.
Presidentja Osmani kështu tha në fjalimin e saj, ndër të tjera, në seancën e përbashkët mes Kuvendit të Kosovës e atij të Shqipërisë sot, më 20.12.2024.
“Shqiptarët e Luginës i kanë sytë kah na. Bota demokratike nuk po i sheh.” – u drejtua Osmani para dy kryeministrave, Albin Kurtit e Edi Ramës, ministrave e deputetëve të dy shteteve.
Në seancë i pranishëm është edhe deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Mijëra shqiptarëve etnikë nga tri Komuna në Serbinë jugore, Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, u janë shënjuar adresat si “joaktive”, prej autoriteteve të atjeshme serbe. Kjo nënkupton se, ata nuk mund t’i përtërijnë dokumentet e tyre të identifikimit – letërnjoftimet, ose të ushtrojnë të drejtat e tyre që kërkojnë – si votimi. Kjo ka shkaktuar një mori protestash në rrugë, gjatë muajve të fundit të vitit 2024.
Duke i përmendur me rend të përbashkëtat e Kosovës e Shqipërisë, që nga rrënjët identitare, historinë e deri te rruga europiane, presidentja Osmani, tha që lidhja mes Kosovës e Shqipërisë është e thellë, lidhen thellë në sakrifica.
Kjo është hera e dytë që Kuvendet e të dy vendeve mbajnë seancë të përbashkët. Herën e kaluar, deputetët u bënë bashkë në ambientet e Kuvendit shqiptar, për shënimin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më 28.11. 2022.
Ndërsa, mbledhja e përbashkët e të dy Qeverive, e planifikuar për 14.06.2023, ishte anuluar njëanshëm nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama – një ditë para se mbledhja të mbahej.
Pas këtij vendimi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e pati ‘kushtëzuar’ takimin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive.
Mbledhja e fundit mes Qeverisë së Kosovës e asaj të Shqipërisë është mbajtur më 20.06.2022.